TIRANE– “Të gjithë para drejtësisë”. Kjo është fjalie e vetme me të cilën është mjaftuar ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, pasi ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për rreth 30 minuta, ministrja Nikolla dëshmoi lidhur me kërcënimin e kandidatit për Rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, aktualisht i zgjedhur.

Në maj të vitit 2016, Koni u kërcënua nga një grup personash për t’u tërhequr nga gara.

Ministrja Nikolla në deklaratën e saj të shkurtër për dyerve të Prokurorisë nuk ka dhënë detaje lidhur më dëshminë e saj, por burime të “BalkanWeb” bëjnë me dije se ajo ka pranuar se ka patur dijeni lidhur me denoncimin e bërë nga Koni për kërcënimin.

Në ambientet e Prokurorisë, ministrja Nikolla ishte e shoqëruar nga sekretari i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca.

Më herët u mor në pyetje edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i policisë së Tiranës Ervin Hodo.

Koni u kërcënua në muajin prill të 2016-ës që të tërhiqej nga gara për rektor në UT, jashtë një hoteli në Tiranë, ndërsa rastin e denoncoi në policinë e Tiranës, e më pas ka marrë kontakte me drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit bashkë me dy rektorët Koni dhe Kule kanë shkuar në zyrën e ministrit të Brendshëm në atë kohë, Saimir Tahiri, ku kanë shpjeguar ngjarjen që u kishte ndodhur. Tahiri u ka premtuar rektorëve angazhimin e Policisë për zbardhjen e ngjarjes. Të njëjtin premtim bëri për ta edhe Lindita Nikolla.

Kujtojmë se Emiljano Shullazi u arrestua në mesin e muajit prill 2017, pasi ish-kryeministri Sali Berisha publikoi kërcënimin që u ishte bërë rektorëve Mynir Koni dhe Dhori Kule. Në mbrëmje të po asaj dite Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhërarrestin për Shullazin e miqtë e tij Blerim Shullazin dhe Gilmando Danin me akuzën e katër rasteve të gjobëvënies ndaj biznesmenëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb