TIRANË- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka reaguar sot në lidhje me deklaratat e biznesmenit dhe ish-deputetit Nikollaq Neranxi i cili tha dje se është kërcënuar me jetë nga persona që nuk i njihte më parë duke hedhur dyshimet se rasti ka të bëjë me pronat në Himarë.

PBDNJ e quan ngjarjen të rëndë për rendin dhe sigurinë dhe thekson se kjo forcë e ka paralajmëruar prej kohësh këtë situatë.

Sipas PBDNJ interesa të errëta po operojnë në Himarë dhe po synohet frikësimi dhe demoralizimi i banorëve.

DEKLARATA E PBDNJ
Ngjarja e rëndë përsa i përket rendit dhe sigurisë së jetës, por edhe dimensionit të saj politik, ku një person me veprimtari publike dhe biznesmen sikundër z. Nikolla Neranxi, në vendlindjen e tij në Himarë, u bë objekt agresioni dhe u kërcënua me jetë, përbën akoma një dëshmi të gjendjes së rëndë që përjeton vendi.

Si PBDNJ kemi paralajmëruar në kohë sesi degradon situata por edhe për përçapje interesash të errëta që operojnë në trevat e Himarës për të shkaktuar frikë dhe për të demoralizuar banorët e saj për t’u aktivizuar kundër tentativave të grabitjes së pronave dhe shfrytëzimit urbanistik që është në evoluim të përditshëm. Për atë trevë dhe komunitetin e saj autokton janë të huaja sjellje të kësaj natyre banditeske. Dorë e huaj kërkon të shkaktojë konflikt të brendshëm.

Akti i ndërmarrë kundër z. Neranxi gjithashtu sjell në vëmendje të opinionit publik se çfarë manipulimesh të rrezikshme janë duke u zhvilluar në Himarë dhe mbarë shoqërinë shqiptare për të kontrolluar ndërgjegjet dhe dhunuar të drejtën e reagimit publik ndaj politikave shtetërore.

PBDNJ do të vazhdojë të jetë përkrah të gjithë atyre individualisht apo në pjesëmarrje shoqërore aktive luftojnë për të përmirësuar situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri, të pjesëmarrjes qytetare në jetën publike dhe të mbrojtjes në veçanti të komuniteteve të personave të pakicave etnike, kulturore, fetare etj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: