BRUKSEL

Kryeministri Edi Rama foli nga Brukseli për kërcënimet e Teheranit ndaj Shqipërinë, pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleiman, nga ushtria amerikane.

Gjatë konferencës për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg, Rama tha se Shqipëria i ka strehuar muxhahedinët dhe do vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë, pasi humanizmi është pjesë e traditës së këtij vendi, ndërsa solli në vëmendje edhe ndihmën që iu është dhënë hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore.

“Shqipëria ka pranuar t’i japë strehë disa mijëra njerëzve, jeta e të cilëve është kërcënuar nga regjimi i Teheranit. Është pjesë e asaj çka ne jemi, e traditës sonë. Ne kemi qenë vendi i vetëm që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj dhe vendi ynë ishte një shtëpi e sigurt për ta.

E kemi bërë edhe këtë gjë si një operacion humanitar. Ne nuk do ta ndryshojmë traditën dhe qasjen tonë kundrejt këtyre njerëzve. Sa për aktivitetet keqbërëse në Shqipëri, kemi dëbuar diplomatët dhe njerëz të tjerë, që janë jashtë aktivitetit të rregullt të pjesës diplomatike”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb