SHBA-Presidenti Obama u zotua se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin këdo që planifikon sulme kundër Amerikës, në përpjekje për të siguruar amerikanët pas sulmit në Kaliforni që ka ngritur pikëpyetje rreth atyre që radikalizohen brenda vendit.

Gjatë një fjalimi nga Shtëpia e Bardhë të djelën në mbrëmje, Presidenti Obama iu përgjegj kritikave se ai nuk ka qënë i vendosur sa duhet për t’i mbajtur Shtetet e Bashkuara të sigurta nga grupi Shteti Islamik, por ai nuk ofroi ndonjë ndryshim radikal të strategjisë së tij,

“Kërcënimi nga terrorizmi është real, por ne do ta përballojmë atë”, tha Presidenti Obama, raporton Zëri i Amerikës.

FBI-ja, tha presidenti, ende po mbledh të dhëna për atë që ndodhi javën e kaluar në San Bernandino. Nuk ka ende të dhëna që dy autorët ishin pjesë e një rrjeti më të gjerë terrorist, shtoi ai.

Terroristët, tha presidenti Obama, po kryejnë tani sulme “më pak të komplikuara”, si ai që ndodhi në Kaliforni.

Presidenti tha se “ne do ta shkatërrojmë grupin ISIL”. Ai premtoi se ushtria amerikane do t’i ndjekë terroristët në çdo vend që ata të fshihen.

“Liria është më e fuqishme se frika”

Presidenti Obama tha se ai i ka kërkuar Kongresit që personat në listën e të ndaluarve për të flutuar të mos kenë të drejtë të blejnë armë. Po ashtu ai kërkoi që të bëhet më e vështirë blerja e armëve luftarake.

Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të hyjnë në një luftë të gjatë me forca tokësore në Irak dhe Siri.

Kjo luftë, tha ai, nuk nuk mund të jetë një luftë midis Amerikës dhe Islamit. Kjo është pikërisht ajo që kërkon Shteti Islamik, tha ai.

Udhëheqësit muslimanë, tha presidenti, duhet të punojnë me ne për të kundërshtuar ideologjinë e urrejtjes, që al-Kaida dhe ISIS përhapin. Ëahtë përgjegjësi e amerikanëve të të gjitha besimeve, tha ai, që të mos bien pre e nocionit se amerikanët e besimit musliman duhet të trajtohen ndryshe nga të tjerët. Kjo i shkon për shtat Shtetit Islamik, tha ai.

Ne jemi në anën e duhur të historisëë dhe ne do ta fitojmë luftën ndaj terrorizmit, tha presidenti Obama. Mos të harrojmë, përfundoi ai, se liria është më e fuqishme se frika.

Disa nga pikat kryesore të fjalimit të presidentit Obama:

-Kërcënimi terrorist ka evoluar në një fazë të re gjatë viteve të fundit.

-Duhet ta bëjmë më të vështirë për njerëzit që të blejnë armë të fuqishme luftarake si ato që u përdorën në Kalifroni.

-Kongresi duhet të miratojë përdorimin e forcës ushtarake kundër grupit ISIL

-Nuk duhet të futemi në një luftë të gjatë, të kushtueshme, me forca tokësore në Irak ose Siri

-Ne do ta shkatërrojmë grupin ISIL

-Nga përçarjet në radhët tona përfiton grupi ISIL

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: