Një ish-oficer i inteligjencës suedeze është dënuar me burgim të përjetshëm, për spiunazh nga një gjykatë në Stokholm.

Bashkë më ish-oficerin është dënuar dhe vëllai i tij më i vogël, pasi janë shpallur fajtorë për spiunim për shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë për më shumë se 10 vjet.

Peyman Kia, 42 vjeç, shërbeu në shërbimin suedez të sigurisë dhe kundërzbulimit dhe në agjencitë e inteligjencës së forcave të armatosura, duke përfshirë agjencinë e inteligjencës së huaj (Must) dhe KSI, një njësi top-sekret që merret me spiunët suedezë jashtë vendit.

Kia u shpall fajtor për spiunazh të rëndë dhe trajtim të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara. Gjykata ka deklaruar se Kia kishte abuzuar me besimin e dhënë ndaj tij për të ndihmuar Rusinë, vendi që përbën “kërcënimin më të madh për Suedinë”.

Vëllai i tij Payam Kia, 35 vjeç, u dënua po ashtu për spiunazh për planifikimin e krimit dhe menaxhimin e kontakteve me agjencinë e inteligjencës ushtarake të Rusisë GRU, duke kaluar 45 nga 90 dokumentet që Pejman u gjet se kishte mbledhur.

Më tej ka thënë se ata i kanë dhënë Rusisë informacione që dëmtojnë sigurinë e Suedisë.

Vëllezërit me origjinë iraniane, të cilët të dy kanë nënshtetësi suedeze, i kanë mohuar akuzat dhe pritet të apelojnë kundër tyre. Ata u arrestuan në vitin 2021.

Pjesa më e madhe e provave, seanca gjyqësore dhe vendimi i plotë nuk u bënë publike për arsye të sigurisë kombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: