TIRANË- Kërcënohet me jetë gazetari investigativ i News24 dhe drejtuesi i emisionit “Xhungël” Artan Hoxha. Ai ka marrë kërcënime në telefon për shkak të deklaratave publike mbi një çështje për të cilën u përfol shumë në media dhe që u quajt një sukses i policisë shqiptare. Bëhet fjalë për zbulimin e laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit.
Autorët e mesazhit kërcënues e kanë kërcënuar me jetën e djalit dhe më pas të vetë gazetarit Hoxha. Balkanweb publikon mesazhin në telefonin e gazetarit Artan Hoxha.

MESAZHI

“Këtë sms që po të dërgojmë lexoje me vëmendje! Po i fut hundët aty ku nuk duhet ti fusësh, si fillim do qash për djalin tat, pastaj do jetë radha jote. Dhe shif meru me diçka tjetër dhe jo me Xibrakën deri sa të vijë radha ty”, thuhet në sms-në kërcënuese.

Gazetari Hoxha prej vitesh është drejtuesi i një prej emisioneve më të ndjekura në News24 dhe i njohur për publikimin e fakteve “bombë” mbi ngjarje ngjarje sensitive të ndodhura në vend. Artan Hoxha disa herë ka zbardhur ngjarje të ndryshme të botës së krimit në vend dhe shpesh herë është bërë objekt i kritikave dhe sulmeve.

Pas kallëzimit të bërë në lidhje me kërcënimet, Prokuroria ka nisur menjëherë hetimet. Për disa dite ai është marrë në mbrojtje nga policia dhe është shoqëruar nga efektivë të RENEA-s, por ende nuk janë zbuluar autorët e kërcënimit.

“Ka pasur disa kërcënime ndaj meje për shkak të hulumtimeve të ngjarjeve të fundit. Bëhet fjalë për rastin e zbulimit të laboratorit të kokainës. Po tentojnë ti mbyllin gojën medias. Më është ofruar mbrojtje nga policia. Gjej rastin ti falënderoj policinë e prokurorinë. Është pjesë e punës sime që të komunikoj me prokurorë, oficerë të policisë. Ajo që më ndodhi mua është pjesë e luftës së mirës kundër së keqes. Urojmë që në këtë betejë të triumfojë e mira”, deklaroi gazetari Artan Hoxha për Balkanweb.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb