Nënkryetari i BDI-së ka pranuar kërcënime me jetë përmes telefonit. Ish – Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ka denoncuar në policinë e Gostivarit se një person tjetër e ka kërcënuar me jetë, mëson in7.


Ngjarja ka ndodhur në periudhën kur në degën e BDI-së në Gostivar ishte aktuale tema e zgjedhjes së kryetarit të ri. Kërcënuesi i Bejtës është I. Jakupi, që është në lidhje familjare me Nexhati Jakupin, ish – ministër dhe njëri nga kandidatët për kryetar dege në Gostivar.


Garën në Kuvendin e BDI-së në Gostivar e fitoi me shumicë votash, Bashkim Hasani, ndërsa deri vonë flitej se edhe Bejta mund të jetë kandidat.


Nuk dihet nëse kërcënimi ndaj Bejtës ka ardhur si pasojë e debateve për të parin e degës, por jozyrtarisht in7 mëson se pikërisht kjo ka qënë arsyeja e kërcënimit.
Për këtë rast, in7 ka dërguar zyrtarisht pyetje në organet përkatëse pranë MPB-së.

“Në Stacionin e Policisë në Gostivar, N.B ka denoncuar se ka marrë kërcënime përmes telefonit nga I.J. Po punohet për zbardhjen e rastit” – thonë për in7 nga Ministria për Punë të Brendshme.

Nevzat Bejta njihet si një nga figurat kyçe të BDI-së dhe deri tani ka ushtruar një sërë pozitash të larta shtetërore, si kryetar komune, ministër e deputet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb