TIRANE

Një takim mes ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj dhe punonjësit të Gardës së Republikës, Feim Dollapaj, me detyrë punonjës i Gardës së Republikës, përbën zanafillën e shkresës që sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi i ka dërguar ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj duke e akuzuar për shantazh për qëllime politike ndaj kreu të opozitës.

Pas shkresës së siguruar nga ‘News24’ e ‘BalkanWeb’, gazetarja Klodiana Lala u informua rreth këtij takimi, i cili ka ndodhur tri ditë më parë, më 14 qershor. Ministri LLeshaj ka pritur në zyrë shoqëruesin e Lulzim Bashës, duke e informuar këtë të fundit se ka informacione për kërcënime ndaj kreut të opozitës.

Burime të besuara thanë për gazetaren Klodiana Lala se ministri Lleshaj ka kërkuar nga punonjësi i Gardës t’i bëjë me dije nëse z.Basha kërkon masa shtesë sigurie pas informacioneve që vetë ministri disponon. Po sipas të njëjtave burime, takimi është zhvilluar në zyrën e ministrit Lleshaj, rreth orës 15:00 ditën e premte të javës që lamë pas.

Për Partinë Demokratike, mënyra e ndjekur nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është e paprecedentë dhe jashtë cdo praktike ligjore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb