KORÇE

I dënuari për vrasje Neim Behari izolohet nën regjimin e mbikëqyrjes së veçantë për tre muaj. Vendimi për Beharin, i cili vuan dënimin me 24 vite burg për vrasjen e një taksisti është marrë nga Gjykata e Korçës.

Shkak i kësaj mase të vendosur nga Gjykata pas kërkesës së burgut të Drenovës është bërë për shkak të kërcënimeve të tij në adresë të disa personave.

Neim Behari në datën 16 shtator 2019 i dërgoi një letër me postë Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili duke e kërcënuar me jetë atë dhe familjarët e tij.

Po kështu, ai ka kërcënuar edhe gjyqtarin Markelian Kuqo në tetor të vitit 2019 duke e alarmuar policinë në Korçë se në makinën e tij ishte vendosur eksploziv.

Ndërkohë ai i ka dërguar letër kërcënuese edhe Izet Haxhisë për të hedhur poshtë shpifjet që ky i fundit kishte bërë ndaj Marsida Xhaferrllarit (anëtare e Gjykatës Kushtetuese). Neim Behari shquhet për kërcënime të këtij lloji dhe ndër te tjera thuhet se ka probleme të theksuara mendore.

39-vjeçari është dënuar me 24 vite burg për vrasjen e një taksisti, të cilin e preu me thikë në fyt dhe i fshehu kufomën, ngjarje e ndodhur në vitin 2005.

Në atë kohë, Naim Behari ishte vetëm 25 vjeç dhe vrasja erdhi si pasojë e një konflikti të çastit për pazarin e taksistit. Ai ka kërkuar ulje të dënimit me pretendimin se vuan nga probleme mendore, por kjo gjë nuk është vlerësuar nga Gjykata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb