TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 2 vjet burg avokatin Arjan Kalaja i cili akuzohet për kërcënimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Por dënimi për Kalajën do konvertohet në shërbim prove.

Avokati Kalaja, me anë të një mesazhi telefonik i ka kërkuar gjyqtari Thanza të paguajë shumën prej 8 mijë dollarësh, në të kundërtën, e ka kërcënuar se do i drejtohet mediave për të denoncuar aferat korruptive.

Ky mesazh kërcënues mësohet se është nisur në verën e 2013 vetëm pak muaj pasi gjyqtari Thanza është emëruar pranë Gjykatës së Lartë, pas mbarimit të mandatit si gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese.

Pas këtij mesazhi kërcënues mësohet se gjyqtari Thanza i ka kthyer përgjigje, duke pyetur se kush ishte pasi nuk e njihte numrin. Dhe ndërkohë thuhet se i është drejtuar policisë duke kallëzuar për mesazhin shantazhues.

Në kallëzim mësohet se gjyqtari Thanza ka mohuar njohjen e numrit dërgues apo edhe problemeve me individë të caktuar për çështje në gjykim pranë institucionit ku ai ushtron detyrën.

Për shkak se numri është mbyllur që në kohën e dërgimit te mesazhit dhe aparati celular nuk është përdorur në ndonjë thirrje tjetër, policia ka pasur të vështirë zbardhjen në kohë të kësaj ngjarje.

Mësohet se me ndihmën e numrit identifikues të aparatit celular, i njohur si IMEI dhe kompanive telefonike është arritur vetëm në verë të vitit 2015 të identifikohet “kërcënuesi” që rezultoi se ishte avokati Arjan Kalaja po nga Shkodra.

Gjatë arrestimit, Kalaja ka mohuar se ka qenë ai qe i ka nisur mesazhin kërcënues gjyqtarit Thanza, me të cilin kishte njohje prej vitesh për shkak se të dy janë nga Shkodra.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb