Nga: KLODIANA HAXHIAJ*
DURRES – Një 21-vjeçar, student në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ka rënë në prangat e policisë, pas shantazheve të vazhdueshme që i bënte ish-të dashurës së tij për publikimin në internet të një videoje intime. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku, bënë me dije se ditën e martë u arrestua Gerildo Beqiraj, student në vitin e dytë, në degën “Financë”, me banim në Shijak. Sipas të njëjtave burime, mësohet se i riu kërcënonte 20-vjeçaren me inicialet A.K., me të cilën kishte pasur një lidhje dashurie, se do të publikonte në internet një video intime të sajën, nëse ajo nuk i jepte 1 milion lekë të vjetra. Pas sinjalizimit, forcat e Rendit nisën menjëherë hetimet dhe në kuadër të operacionit të koduar “Studenti”, u bë i mundur arrestimi i Gerildo Beqirajt. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe ‘gjoba’ e lekëve që i riu i kishte marrë ish-të dashurës së tij. Sakaq, grupi hetimor i çështjes po heton nëse studenti ka përdorur këtë formë shantazhi edhe ndaj vajzave të tjera. Beqiraj akuzohet për veprën penale “Shtrëngim për dhënie pasurie”.
DENONCIMI
20-vjeçarja me inicialet A.K., ka denoncuar në komisariatin e policisë së Durrësit ish-të dashurin e saj, 21-vjeçarin Gerildo Beqiraj, pasi sipas saj, ai e kërcënonte. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, studentja ka pohuar se në mënyrë të vazhdueshme, Beqiraj e kishte shantazhuar se do të bënte publike në internet një video intime, gjatë kohës që ata kishin qenë të lidhur. “Gerildo Beqiraj ka qenë ish-i dashuri im dhe për disa muaj më shantazhon. Më kërkon 1 milion lekë, në këmbim të një videoje që ka xhiruar në celularin e tij gjatë kohës që ne kemi qenë të lidhur. Më kërkon 1 milion lekë deri nesër në darkë. Unë nuk kam asnjë mundësi t’i siguroj lekët. Jam e tmerruar. Në çdo orë të ditës më bën shantazh. Ju lutem më ndihmoni, sepse nuk kam ku t’i gjej ato para aq sa kërkon ai”, – ka deklaruar para hetuesve të çështjes 20-vjeçarja.
ARRESTIMI
Pasi u njoftuan për ngjarjen, policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit nisën hetimet. Me urdhër të organit të akuzës, u bë i mundur përgjimi i telefonit të studentes 20-vjeçare, ku vinin mesazhe dhe thirrje telefonike kërcënuese nga Gerildo Beqiraj. Ndërkohë, forcat e Rendit siguruan dhe shumën e lekëve që i riu kërkonte në këmbim të videos intime, duke ia dhënë vajzës. Gjithçka u inskenua nga policia, ndërsa u mundësua dhe një takim mes dy të rinjve. Gjatë kohës që dy studentët u takuan në një lokal pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, u bë i mundur dhe arrestimi i djalit. Ndërkaq, çështja i kaloi për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb