Koreja e Veriut kërcënon me përgjigje fizike Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Korenë e Jugut pas vendosjes nga këto të fundit të sistemit të avancuar të mbrojtjes raketore në gadishullin korean.

Në një deklaratë zyrtare, Peniani tha se do ta shndërrojë jugun në një grumbull hiri dhe se përgjigja fizike do të nisë shumë shpejt.

Ushtria e Koresë së Veriut deklaroi të hënën në mëngjes se do ti përgjigjet fizikisht lëvizjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Jugut për të dislokuar sistemin e avancuar të mbrojtjes raketore në gadishullin korean.

Të premten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut thanë se sistemi i avancuar i mbrojtjes raketore do të përdoret për të luftuar rritjen e aftësive bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut.

“Është vullneti i palëkundur i ushtrisë sonë për të nisur një sulm të pamëshirshëm hakmarrës dhe do të kthejmë Korenë e Jugut në një det zjarri dhe grumbull hiri në momentin që do të marrim urdhrin për të kryer sulmin. Do të ketë masa të reagimit fizik menjëherë sapo autoritetet më të larta të na njoftojnë për vendndodhjen e sistemit të avancuar të mbrojtjes raketore Thaad”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë komuniste në një deklaratë në median shtetërore.

Ky është kërcënimi i radhës i Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një retorikë tashmë e njohur kjo e vendit komunist, i cili kreu provën e katërt bërthamore këtë vit dhe nisi një raketë me rreze të gjatë, gjë e cila u dënua me sanksione të ashpra nga Kombet e Bashkuara.

“Sistemi thaad do të jetë i përqendruar vetëm në kërcënimet bërthamore dhe të raketave të Koresë së Veriut dhe nuk do të përdoret ndaj asnjë kombi tjetër”, thanë dy vendet në një deklaratë javën e kaluar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një prani ushtarake prej 28 mijë e 500 trupash në Korenë e Jugut që prej luftës së Koresë nga viti 1950 deri në ‘53.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: