Tifozët e Tiranës kanë reaguar pas kërcënimit të atyre të Partizanit për prishjen e bukurisë së derbit, si dhe pas kërkesës së këtyre të fundit për të luajtur në stadiumin “Dinamo”, që sot ka emrin “Selman Stërmasi”.

“Bardheblutë” kanë ironizuar me “kërcënimin” e të kuqve lidhur me derbin, ku në fillim e kanë mbështetur këtë ide, pasi sipas tyre kjo nuk është një ndeshje derbi dhe nuk mund të cilësohet më shumë se një përplasje e detyruar me pararojën e agjitacion-propagandës së regjimit qyfyr.

Mbi çështjen e stadiumit “bardheblutë” janë treguar të prerë. Ata i bëjnë thirrje drejtuesve të klubit për t’i thënë edhe një herë “jo” kërkesës së Partizanit për të luajtur në “Selman Stërmasi”, në të kundër kërcënojnë me bojkotim të sfidave që ekipi tyre do të luajë përgjatë sezonit.

Reagimi nga “Tirona Tifo Forum”
b4iwg5tgib4w5
TË HAPET UZINA “ENVER”

Të dashur miq! Qyfyret që mbërrijnë nga mbetjet e regjimit qyfyr nuk kanë të sosur. Së fundi, mësojmë se tifozët e kuq kanë paraqitur një kërkesë ultimative për të hapur një stadium të quajtur “Dinamo” që në të të luajë Partizani. E ç’kanë më pak skeçet e estradës së qytetit!

Nga ana jonë, ne u sugjerojmë shokëve dhe shoqeve që sistemi na i ka lënë nga pas si qyfyre të gjalla, që krahas hapjes së stadiumit “Dianmo”, të kërkojnë edhe hapjen e uzinës “Enver”, të bulevardit “Stalin” dhe të kombinatit “Mao Ce Dun”.

Nuk na bën përshtypje pohimi në të njëjtën komunikatë se “qyteti u takon atyre që e banojnë”, pasi kjo shkon në linjë të drejtpërdrejtë me parimin “toka i takon atij që e punon”, të dëgjuar për herë të parë po nga etërit e tyre, por na duhet të vërejmë se edhe në bazë të këtij parimi, qyteti nuk u takon atyre, pasi shumica e tyre nuk banojnë në këtë qytet. Jo më kot kanë pohuar më herët se klubi i tyre “nuk njeh vijë të verdhë”, sepse në fakt, prania e tyre në shumicë vërehet veç matanë vijës së verdhë.

Lidhur me kërcënimin se nëse nuk lejohen të luajnë në stadiumin që është marrë në përdorim nga një klub tjetër, do të bëjnë të pamundur luajtjen e ndeshjeve dhe kryeqyteti nuk do të ketë më “derbi”, ne pohojmë se jemi shumë të kënaqur me këtë vendim të shokëve të “njësitit gueril”. Ne e kemi deklaruar prej kohësh vlerësimin tonë se ndeshjet tona me Partizanin nuk përbëjnë as derbi e as përballje sportive, por thjesht përplasje të detyruar me pararojën e agjitacion-propagandës së regjimit qyfyr. Ndaj do të jemi të kënaqur që pas çdo prishjeje të rendit e të sportit përmes “aksionesh” të “njësitit gueril”, të marrim 3 pikët e radhës në tavolinë.

Po ashtu, paralajmërojmë klubin tonë se nëse përkulet përballë kërcënimeve të tilla antisportive dhe hap dyert e stadiumit “Selman Stërmasi” për të tilla organizata komunistoide që nuk kanë respekt as për emrin e Selman Stërmasit, atëherë ne do ta bojkotojmë ndjekjen pjesës së mbetur të kampionatit në stadiume dhe do të vijojmë ta ndjekim atë të organizuar në lagje e sheshe të qytetit, siç kemi bërë më herët, kur na i kanë mbyllur dyert e stadiumeve.

Tifozët e Tironës

Ndërkohë kanë reaguar edhe faqe të tjera të tifozëve “bardheblu” përveç asaj të “Tirona Tifo Forum”, ku në sy bie kjo video që ironizon me tifozët e Partizanit që vjen si sinkronizim nga pjesë të filmit “Tomka dhe shokët e tij”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb