Pas kërkesës zyrtare të Holandës në Komisionin Evropian për rikthimin e vizave për Shqipërinë në zonën Shengen, ka reaguar zëdhënësja e Komisionit Evropian Natasha Bertaud duke konfirmuar se Komisioni e ka marrë një njoftim të tillë. Sipas saj, do të bëhet një vlerësim nga ana e komisionit dhe rezultati do t’i dërgohet parlamentit dhe këshillit Evropian

“Mund të konfirmojmë se komisioni e ka marrë një njoftim nga Holanda sa i përket rikthimit të vizave për Shqipërinë në zonën Shengen. Komisioni do të vlerësojë përmbajtjen e njoftimit në përputhje me procedurat, bazuar në të dhëna dhe informacionin për rrethanat specifike. Hapi tjetër që do të bëjmë është njoftimi i parlamentit dhe këshillit evropian. Vendimi për rikthimin e vizave nuk mund të merret lehtësisht dhe do shihet me shumë kujdes përmes analizave dhe vlerësimeve. Procedurat kanë disa kritere që komisioni duhet ti marrë në konsideratë, kur bën vlerësime të tilla. Sapo të përfundojë shqyrtimi, komisioni do t’ia prezantojë rezultatet parlamentit dhe këshillit dhe mundet që në bazë të rezultatit të kësaj analize, për të cilën nuk duhet të ketë paragjykime, do të merren vendimet specifike që kërkohen. Sipas rregullave të procedurave, Komisioni duhet të adoptojë një akt zbatimi brenda një muaji dhe ky akt zbatimi duhet të aprovohet nga Këshilli”, deklaroi Betaud.

E pyetur nëse ka pasur ndonjë rast tjetër të tillë me vendet e tjera, zëdhënësja e Komisionit Evropian Natasha Bertaud tha se kjo është hera e parë që Komisioni Evropian merr një njoftim të tillë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb