TIRANË

Seanca e sotme plenare ka nisur me debate pasi Partia Demokratike dhe deputetët e opozitës kanë kërkuar mocion me debat me kryeministrin Edi Rama për situatën ekonomike. Sekretari i grupit parlamentar të PD, Arbi Agalliu kërkoi që të ndryshonte rendi i ditës dhe kryeministri Rama të dilte sot në interpelancë, por kjo gjë nuk është pranuar.

Edhe Edmond Spaho deklaroi se Rama duhet të ishte sot në interpelancë.  Spaho ka paraqitur kërkesën që 10 deputetë kanë firmosur për të futur në rendin e ditës së Kuvendit, një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama për gjendjen aktuale me çmimet dhe protestat.

Nga ana tjetër kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla deklaroi se ishte pamundësi objektive për të mundësuar interpelancën e kryeministrit në këtë seancë. Ajo tha se se duhej ta kishin dërguar kërkesën 48 orë përpara për të mundësuar interpelancën e Kryeministrit, “por se patjetër në seancën e ardhshme Kryeministri do të jetë prezent.”

Më pas deputeti Tritan Shehu deklaroi se ishin shkelur procedurat e Kuvendit.

“Zonja kryetare, me gjithë respektin që kam për ju, po ju them se keni shkelur rregulloren. Kemi paraqitur kërkesën për rezolutë për Ukrainën dhe më thonë jozyrtarisht se nën presionin e zotit Balla është rrëzuar në konferencën e kryetarëve. Prandaj dua shpjegime të qarta. Nëse është miratuar në konferencë, më thoni orën e debatit dhe nëse është rrëzuar, të kërkohet votim. Kjo bëhet tani kur miratohet rendi i ditës, ndaj të jemi korrekt dhe të mos biem pre e interferencave të ndryshme dhe më vjen shumë keq për atë që ndodhi në atë konferencë kryetarësh nëse nuk është pranuar rezoluta për Ukrainën.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb