Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratisllavë të Sllovakisë, iu bëri thirrje 5 shteteve të BE-së që të njohin pavarësinë e Kosovës. Ai deklaroi se Kroacia inkurajon Qipron, Greqinë, Rumaninë, Spanjën dhe Sllovakinë që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kroacia inkurajon pesë anëtarët e tjerë të BE të njohin Kosovën, sepse kjo do të kontribuonte në stabilizimin e rajonit dhe vetë Kosovës”, -u tha Grlic Radman gazetarëve sot, raportojnë mediat serbe.
Shefi i diplomacisë kroate po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratislavë, në të cilën gjithashtu do të diskutohet situata në Ballkanin Perëndimor.

Radman, menjëherë pasi bëri thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, tha se respektimi i integritetit territorial të shteteve është thelbësor për stabilitetin e rajonit. “Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit duhet të ruhet dhe respektohet, domethënë pa i ridefinuar kufijtë, siç kemi dëgjuar muajt e fundit, kur qarkulluan disa ‘non paper’ famoze, të cilat ishin orientuar në atë drejtim”, -tha Radman.

Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, e cila u njoh nga të gjithë anëtarët e BE-së, përveç Qipros, Greqisë, Rumanisë, Spanjës dhe Sllovakisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb