Shefi i Shërbimit të Hematologjisë, Profesor Doktor Arben Ivanaj, ka qenë i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ditën e sotme ku ka folur për situatën në vend nga koronavirusi si dhe protestën e mjekëve.

Ai tha se drita në fund të tunelit duhet kërkuar teksa pranoi se mjekët me anë të përshtaturit janë futur në konflikt interesi për të mbijetuar. Sipas tij, Shqipëria është vendi i fundit në Evropë për pagat.

“Shpesh nuk duket dritë në fund të tuneli, por duhet kërkuar. Nuk është vetëm shëndetësia në këtë gjendje. Shqipëria nuk është mirë në krahasim me Italinë, Greqinë dhe mundësitë që Shqipëria ka. Mjekët janë si çdo profesion tjetër. Humanizmi nuk është vetëm tek mjekësia, është shkencë më vete. Ne kemi nevojë për mjekë profesionistë, gazetarë profesionistë. Profesionistët kanë dhe humanizmin dhe profesionalizmin. Mjekët janë të keqpërdorur, janë detyruar të punojnë në atë batak ku i ka lënë por ngelen ndër profesionistët që ngelen më të lidhur me të renë shkencore. Janë njerëzit më lidhur dhe me dy të kollitura në thonjëza, sistemi dhe gjithçka tjetër shkon në vendin e vet. Me anë të përshtaturit mjekët faktikisht janë futur në konflikt interesi. I kanë detyruar që ta bëjnë. Jemi vendi i fundit në Evropë për pagat. Dhe në Kosovë një mjek trajtohet dyfish më mirë. Pse u mor vendimi që një prokuror të marrë sa trefishi i mjekëve sot. A dalin nga i njëjti buxhet apo pse na thanë të huajt që ta trajtojmë gjyqësorin ekstra. Mjekët bëjnë 24 vite shkollë, sa bëjnë ata të tjerët, as 15. Në vendet e zhvilluara, vendet normale, ata ekspertët që thonë ndrysho ngjyrën e murit, për të njëjtin nivel diplomimi është e njëjta pagë. Por kjo nuk justifikon gabimet që mund të bëjë një mjek. As ju personalisht, as gazetarët nuk janë të kënaqur me pagat por si realizohet kjo punë, me negociata.
Të diskutohen pagat e mjekëve, sa mjekë janë. Aktualisht pagat në të gjithë Evropën po rriten. Në Paris janë 270 vende pune për mjekë, ku paga minimale është 4700 euro. 1700 vende bosh për infermierë. Presin dhe mjekë nga Shqipëria. Enver Hoxha i mbajti shqiptarët 50 vjet të mbyllur por prapë shqiptarët ikën, i mbajtëm dhe 20 vjet të tjera dhe prapë po ikin. Duhet të bëhemi atraktivë”, deklaroi Ivanaj.

Ai tha se e mbështet protestën e mjekëve dhe kërkesat e tyre. “Ndoshta Shqipëria ka nevojë për një lëvizje siç ndodhi në Francë, ku një njeri i vetëm po reformon Francën në Evropë”, sugjeroi mjeku i njohur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb