Ish-ambasadori Agim Nesho, i ftuar në studion e emisionit “Open”, ka ofruar një vlerësim të thellë mbi kërkesat e fundit të Beogradit për Kosovën dhe tensionet që kanë shpërthyer në veri të Kosovës.
Nesho ka komentuar se kërkesat e paraqitura nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk duhet të interpretohen si një lëvizje e dëshpëruar, por si një strategji për të fituar kohë. “Vuçiç po e përdor këtë rast për të fituar kohë. Ai ka një axhendë të tijën dhe kërkon kohë,” ka thënë Nesho. Sipas tij, Vuçiç pret që Rusia të kthejë vëmendjen drejt Ballkanit, duke shpresuar që kjo të ndihmojë Serbinë të ndikojë në gjeopolitikën e rajonit.
Nesho ka kritikuar mënyrën se si Perëndimi po i qaset situatës në Ballkan, duke theksuar se nuk ka një balancë të duhur të prioriteteve që synon të stabilizojë rajonin. “Nuk kemi një balancë të prioriteteve që sheh Perëndimi në Ballkan,” ka vënë në dukje ai.