TIRANË- Ish-­kryeministri Sali Berisha ka vijuar me akuzat ndaj qeverisë duke e cilësuar atë përgjegjëse për rritjen e kërkesave për azil politik të shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas tij, situata e vështirë politike dhe ekonomike që po kalon vendi bëhen shkak që shqiptarët të drejtohen masivesh drejt vendeve të BE-së, ndërkohë që kryeministri nuk krijon shpresë për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Këtë shqetësim ish-­kryeministri tha se ia kishte paraqitur presidentit të Fondacionit Shqiptaro–Amerikan të Ndermarrjeve, Micheal Granoff, gjatë një takimi që kishte pasur pak ditë më parë. “Në këtë bisedë theksova problemet më madhore të vendit që janë; lidhjet e pushtetarëve më të lartë me krimin dhe trafiqet, nxitja e konflikteve nga ana e Ramës, qëndrimet klienteliste dhe jomiqësore ndaj bizneseve. Të gjitha këto kanë krijuar shkallë të lartë pasigurie tek qytetarët dhe investitorët vendas dhe të huaj që po largohen nga Shqipëria, kanë rritur me shpejtësi papunësinë dhe mjerimin në vend. Këto, së bashku me dëshpërimin që mbjell me pasion kryeministri në çdo dalje televizive rikthyen pas 24 vitesh eksodin në Shqipëri”,­ deklaroi Berisha.

Sipas tij, rritja e kërkesave për azil politik në vendet e BE­-së vjen si pasojë e keq qeverisjes së majtë në dy vitet e fundit. “Sot, shqiptarët që vetëm dy vjet më parë ishin të fundit apo parafundit në kërkimin e azilit politik, vijnë direkt pas sirianëve, vendi i të cilëve ndodhet në luftë civile. Zoti Granoff shprehu brengosjen e tij të thellë dhe theksoi se eksodi aktual është një dukuri tepër shqetësuese!”,­shkruan Berisha në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: