Vladimir Dushniku, një prej pensionistëve të angazhuar në protestat e vazhdueshme të këtij grupimi krahë Lëvizjes Bashkë ka folur për vijimësinë e këtij aksioni në studion e News24.
Dushniku ka kritikuar ashpër qëndrimin e qeverisë ndaj kërkesave të pensionistëve, duke e cilësuar si “të shurdhët” përgjigjen ndaj protestave. Ai ka theksuar se pavarësisht se protestat kanë vazhduar për javë të tëra, zërat e pensionistëve nuk janë marrë parasysh. “Ne kemi javë që protestojmë, por ato bien në vesh të shurdhët. Ka mbi 500 mijë pensionistë që marrin nën 200 mijë lekë. Skema e pensioneve ka dështuar”, tha Dushniku, duke shtuar se shumica e pensionistëve janë të detyruar të jetojnë me të ardhura shumë të ulëta dhe nuk kanë mundësi për të përballuar shpenzimet e përditshme.
Ai theksoi se partitë e mëdha politike në vend refuzojnë të ulen dhe të diskutojnë për situatën e pensionistëve, duke e quajtur këtë injorim të drejtpërdrejtë të kërkesave të tyre. “Thonë s’kemi, s’kemi dhe nuk diskutojnë si kemi arritur këtu. Asnjë nga argumentet që ka thënë kryeministri nuk qëndron, absolutisht asnjë. Le të ballafaqohet me ne”, ka thënë Dushniku, duke kërkuar një përballje të drejtë dhe të hapur për problemet e pensionistëve.
Në një moment të fortë, ai ka përdorur një krahasim të ashpër për të përshkruar situatën e Shqipërisë, duke thënë: “Ky nuk është as kapitalizëm, as demokraci, Shqipëria është një vilajet i Perandorisë Osmane, i mbushur me ngjyrime dhe propagandë.”
Dushniku ka shpërthyer edhe për bonusin e fundvitit, duke treguar një histori të vështirësive të tij personale. “Unë e mora bonusin e fundvitit. I harxhova për dy ditë sepse kisha marrë borxh për ilaçet”, ka thënë ai.