Në takimin me kandidatët për deputetë që kreu i PD Lulzim Basha zhvilloi mbrëmjen e sotme ka pasur kërkesa dhe për protesta, pasi PS fitoi zgjedhjet, ndërkohë që rezultati nuk është pranuar nga opozita. Ka qenë Mark Marku, i cili e fitoi në fakt mandatin në Lezhë që ka kërkuar protesta.

“Qytetarët janë lodhur me procedura ligjore, me këto të merren ekspertët. Ne duhet të protestojmë, që t’u tregojmë njerëzve që do e mbrojmë votën e tyre”, mësohet të ketë thënë Marku.

Gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb” se në përgjigje të kësaj, kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se nuk është kjo koha për protesta, megjithëse për të është gjëja më e thjeshtë. Ai ka theksuar se prioritet është vetëdijësimi i njerëzve për atë që ka ndodhur me zgjedhjet e 25 prillit.

“Gjëja më e thjeshtë për mua është të thërras protesta. Por po pas kësaj? Jo, sepse nuk është kjo koha. Prioriteti ynë është të vetëdijësojmë njerëzit për masakrën elektorale që edhe protesta të ketë kuptim”, citohet të ketë thënë kreu i PD Lulzim Basha.

Në takimin me kandidatët mungoi ish-kreu i PD Sali Berisha, e po ashtu edhe aleatët e PD-së, të cilët ishin në listat e demokratëve. Në përfundim të takimit me deputetët dhe kandidatët për deputetë, në selinë blu mbërriti kreu i PR Fatmir Mediu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb