Çmimin Nobel në Ekonomi e morën sot tre ekonomistë amerikanë, Ben S. Bernanke, Douglas W. Diamond dhe Philip H. Dybvig.

“Ata e morën çmimin për kërkime mbi bankat dhe krizat financiare”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.

Çmimi “Sveriges Riksbank 2022” në Shkencat Ekonomike u nda mes tre ekonomistëve amerikanë, ish-kreut të Rezervës Federale të SHBA-së, Ben Bernanke, Douglas Diamond dhe Philip Dybvig, të cilët “kanë përmirësuar ndjeshëm të kuptuarit tonë për rolin e bankave në ekonomi, veçanërisht gjatë krizave financiare, si dhe mënyrën e rregullimit të tregjeve financiare”.

Komiteti i Nobel tha se puna e tyre kishte treguar në hulumtimin e tyre “se përse shmangia e kolapsit të bankave është jetike”.

Bernanke ka qenë president i Rezervës Federale nga viti 2006 deri në vitin 2014 dhe tani punon në Brookings Institute të Uashingtonit.

D.C. Diamond është profesor në Booth School of Business të Universitetit të Çikagos dhe Dybvig është profesor në Olin Business School të Universitetit të Uashingtonit në St. Louis.

Komiteti i Nobelit sqaroi se puna e tyre, e zhvilluar në fillim të viteve ’80 “ka përmirësuar ndjeshëm të kuptuarit tonë për rolin e bankave në ekonomi, veçanërisht gjatë krizave financiare, si dhe mënyrën e rregullimit të tregjeve financiare” dhe ka treguar se pse është e rëndësishme të shmangen kolapset bankare. Ata shtuan se kjo ka qenë e “çmuar” gjatë krizës financiare 2008 – 2009 dhe pandemisë së koronavirusit.

Fituesit e këtij çmimi – i quajtur zyrtarisht “Sveriges Riksbank Prize” në Shkencat Ekonomike në kujtim të Alfred Nobel do të fitojnë 10 milionë korona suedeze secili (rreth 900,000 dollarë) dhe do të shpërndahen më 10 dhjetor.

Ndryshe nga çmimet e tjera, çmimi i ekonomisë nuk u vendos në testamentin e Alfred Nobelit të vitit 1895, por nga Banka Qendrore suedeze në kujtim të tij. Fituesi i parë u zgjodh në vitin 1969.

Vitin e kaluar, gjysma e çmimit shkoi për David Card për kërkimin e tij se si paga minimale, imigrimi dhe arsimi ndikojnë në tregun e punës. Ndërsa pjesa tjetër shkoi për Joshua Angrist dhe Guido Imbens për propozimin se si të studiohen çështje që nuk përshtaten lehtësisht me metodat tradicionale shkencore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: