TIRANE- Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk janë më të mirat mes dy shteteve. Shkak për këtë duket se janë bërë përplasjet për kërkimet për naftë në detin Jon, për të cilat Tirana është ankuar me pretendimin se pala greke po kryen kërkime në zonën shqiptare.

“Pas ankesave të palës shqiptare, Greqia ka ndaluar për momentin kërkimet për naftë. Por, Greqia mund të hakmerret ndaj Shqipërisë, nëse nuk i hap rrugë në këtë çështje”. Kështu shkruan e përditshmja austriake, Der Standard.

Sipas kësaj gazete, Greqia do të bllokojë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Gazeta austriake shkruan ndër të tjera se në lojë janë shumë gjëra, duke qenë se bëhet fjalë për rezerva të mëdha nafte.

Për këtë arsye, sipas saj, tashmë Shqipëria nuk duhet të shqetësohet më për marrëdhëniet me Serbinë, por për marrëdhëniet me Greqinë.

Pakënaqësia e palës greke, sipas Der Standard, nuk është vetëm për kërkimet e naftës në detin Jon, por edhe për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit.

Por sipas “Der Standard” ky nuk është konflikti i vetëm mes dy vendeve. Një tjetër ngërç janë edhe varrezat greke në jug të Shqipërisë.

“Një marrëveshje për këto varreza nuk është zbatuar nga Shqipëria. Formalisht, Greqia dhe Shqipëria janë ende në luftë, e cila është bazuar në një ligj grek në vitin 1940 i cili kurrë nuk është anuluar.” thekson gazeta.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: