Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, ka njoftuar sot hapjen e garës për 74 vende të lira pune në të gjithë vendin.

Në një dalje për media, Lame tha se bëhet fjalë për punësimin e 74 personave në strukturë, dhe jo punonjës me kontratë.

Më tej, Lame iu bëri thirrje edhe të gjithë familjarëve, të afërmve, por edhe gjithë politikanëve, të mos ndërhyjnë për punësime, pasi për të zgjidhur nyjën e pronës, duhen profesionistë.

“Sfidat e Kadastrës janë dy, gjendja katastrofike e hartografisë, ka një deformim profesional disavjeçar. Deklaroj se reforma për rritjen e profesionalizimi do të vijojë. Do hapim garën për thithjen e profesionistëve të fushës. Sot hapim garën për punësimin e 74 personave, jo punonjës me kontratë, por punonjës në strukturë.

13 vende të lira në Tiranë, në Vlorë 9 vende dhe vendet e tjera në qytetet e tjera të vendit. Përfshirë gruan, kushërinjtë, prindërit, politikanëve të majtë e të djathtë, ju lutem mos më ndërhyni për punësime. Ne duam profesionistë, jo miq. Të zgjidhim nyjën e pronës, që është nyja më e rëndësishme dhe kjo zgjidhet vetëm em profesionalizëm”, tha Lame.

Deklarata e plotë:

KADASTRA BEN THIRRJE PER PROFESIONISTE
11.09.2019

Agjensia Shteterore e Kadastrës ka përmbyllur fazën e riorganizimit të saj dhe me kënaqësi ju bëj me dije se ky proces prodhoi një strukturë të re tërësisht të riorganizuar dhe eficente.
Por mbyllja e një procesi, hap menjëherë dyert për sfidën e rradhës.

Sfidat kryesore të Kadastrës sot janë dy:
E para, avancimi i rishikimit hartografik të gjithë problematikave në rang vendi. E dyta, ngritja e nivelit profesional të punonjësve tanë. Në këtë pikë mjafton të them se sot agjensia ka rreth 400 juristë të të gjitha shkollimeve, që nga ata me shkolla të mbaruara jashtë, e deri te ata me pasqyra e xhamlleqe.

Dhe, me gjithe këta juristë, i vetmi rezultat ka qenë hapja e mijëra gjyqeve për çështje pronësie, me pasojat e trishta që i dimë të gjithë. Po ka edhe më keq se juristët, pasi gjenden pa fund ekonomistë e biologë, historianë, sociologë, psikologë, e ku di unë çfarë tjetër, duke lënë në minorancë profesionet bazë të Kadastrës.

Nuk po i hyj këtu analizës se si është arritur ky deformim 20 vjeçar por, me keqardhje për fatin personal të secilit, deklaroj se reforma për rritjen e profesionalizmit do të vijojë. Rishikimi hartografik e bën të domosdoshme thithjen e fluksit të inxhinierëve. Dhe pikërisht për këtë, në vendet që lirohen, duam të hapim garën për thithjen e profesionistëve të fushës.

Pra sot unë po lajmëroj hapien e garës për punësimin e 74 specialistëve në strukturën e AKSH me profesione:
-Inxhinier ndërtimi;
-Arkitekturë;
-Urbanistikë;
-Gjeoinformatikë;
-Gjeodezi;
-Topografi.
Saktësoj, jo punonjës me kontratë, por punonjës në strukturë.

Në veçanti, dua t’i bëj një thirje dy kategorive. Në rradhë të parë, djemve e vajzave që kanë vullnet për punë, të vijnë dhe të konkurojnë dhe të kenë besim tek unë dhe tek forcat e tyre.

Nga ana tjetër, ju lutem të gjithë miqve, të njohurve, të afërmve përfshirë gruan dhe prindërit e mij, kushërinjve, deputetëve e ish-deputetëve, ministrave e ish-ministrave, të majtë e të djathtë e të qendrës, ju lutem mos më ndërhyni për punësime. Shteti shqiptar, kadastra shqiptare dhe unë duam profesionistë, jo miq. Në Kadastër ka me qindra profesionistë kokëulur, ka me dhjetra shefa e drejtorë që janë bërë të tillë pa futur mik, por thjesht me forcat, krahët dhe mendjen e tyre.

Të gjithë kërkojmë të zgjidhim nyje e pronës dhe nyja e pronës zgjidhet vetëm me profesionalizëm; dhe pastaj, të njëjtët njerëz që ankohen për cfarë kanë hequr, më kërkojnë me aman e me derman të fus në punë njërin a tjetrin jashtë profilit. O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat e miqtë, të dyja nuk bëhen dot! Së bashku po e nisim edhe këtë reformë dhe vetëm së bashku mund ta çojmë atë përpara. Ju faleminderit.

NR
ASHK
VENDE
VAKANTE
1
DREJTORIA BERAT
1
2
ZYRA DEVOLL
2
3
DREJTORIA ELBASAN
2
4
DREJTORIA FIER
5
5
DREJTORIA GJIROKASTER
6
6
ZYRA HIMARE
2
7
DREJTORIA KAVAJE
2
8
DREJTORIA KRUJE
7
9
ZYRA KOLONJE
1
10
DREJTORIA KUKES
3
11
DREJTORIA LEZHE
6
12
DREJTORIA LUSHNJE
1
13
ZYRA MALESI E MADHE
1
14
DREJTORIA POGRADEC
6
15
DREJTORIA SARANDE
2
16
DREJTORIA SHKODER
3
17
DREJTORIA TEPELENE
2
18
DREJTORITE TIRANE
13
19
DREJTORIA VLORE
9

Gjithsej:
74

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb