Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shtyrë më datë 3 gusht seancën për ish- kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.

KPA tha gjatë seancës, se hetimet do të vijojnë dhe kanë kërkuar dokumente shtesë nga KPK.

Kujtojmë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë, ish-Prokurorin e krimeve të rënda, tashmë Prokuror në Tiranë. Ndërsa, ONM sugjeroi shkarkimin e tij nga detyra.

Nga ana e tij, Hajdarmataj, i konsideroi subjektive, të pavend dhe pa bazë ligjore opionet për pasurinë dhe profesionalizmin e tij, të paraqitura nga vëzhguesi ndërkombëtar, Teo Jacobs, në Kolegji e Posaçëm të Apelimit.

Ai deklaroi në seancën e kaluar para trupës së Shkallës së dytë të Vetingut se priste që përfaqësuesi ndërkombëtar të respektonte procesin administrativ, duke iu shmangur gjuhës plot ngjyrime dhe pa prova.

Ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda u shpreh se ai nuk e di se përse zoti Jacobs e bën këtë gjë, kur, sipas tij, vetë vëzhguesi ndërkombëtar e ka të qartë që rrethanat nuk përbëjnë shkak për shkarkimin nga detyra të prokurorit.

Dy seanca më parë, zoti Jacobs pyeti ish-shefin e Krimeve të Rënda se, si ka mundësi që ai nuk kishte krijuar kursime, megjithëse pagën e kishte të lartë, duke aluduar se Hajdarmataj mund të ketë fshehur pasuri.

Po ashtu, Jacobs ngriti pikëpyetje mbi të paktën 3 procedime penale të zhvilluara nga Krimet e Rënda, kur drejtoheshin nga Hajdarmataj, duke u shprehur se “subjekti sillet sikur ishte drejtues vetëm për letrat higjenike” dhe se nuk mbante përgjegjësi për hetimet e kryera nga vartësit e tij.

 

Prokurori Hajdarmataj vendosi t’i përgjigjej me argumenta të gjithë pretendimeve të paraqitura nga Jabobs, duke deklaruar se e vlerëson si shumë të rëndësishëm rolin e vëzhguesve ndërkombëtar në procesin e Vetingut.

Lidhur me pretendimet e mungesës së kursimeve, prokurori deklaroi se të dhënat e prezantuara nga Teo Jacobs nuk përputhen me realitetin.

“Vëzhguesi përdori një logjikë të gabuar financiare kur thotë se sa më e ulët është e ardhura, aq më i lartë është shpenzimi, në vitin 1997, dhe sa me e lartë është e ardhura, aq më i ulët është shpenzimi, në vitin 2016”, u shpreh Hajdarmataj.

Sipas tij, z. Jakobs, duhet të mbaj në vëmendje se paraja ka vlerë kohore, dhe kosto e jetesës, nuk është e njëjtë në vitin 1999 në raport me vitin 2016.

Nga ana tjetër, Hajdarmataj u shpreh se nuk mund të përpjestohen vitet në mënyrë aritmetike, pasi jeta ka dinamikën e saj, edhe në drejtim të të ardhurave dhe shpenzimeve.

Megjithatë, u shpreh ai, të dhënat e deklaruara prej meje ndër vite, tregojnë se unë kam kryer kursime të logjikshme dhe nuk kam kryer jetë mondane, por kam mbuluar shpenzimet e nevojshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb