Vllaznia riktheu entuziazmin në Shkodër pas fitores ndaj Tiranës, por Mirel Josa frenon të tijtë, pasi e di mirë që ishin vetëm tri pikë dhe rruga është ende e gjatë dhe do të ketë të tjera sfida të vështira, siç është e radhës në transfertë ndaj Egnatias, me këtë të fundit që është në vendin e katërt vetëm 3 pikë larg dhe pretendon Evropën këtë sezon.

Rrogozhinasit kanë mposhtur Vllazninë në dy ndeshjet e këtij sezoni, me shkodranët që nuk kanë shënuar dot as gol. Ndoshta kjo është arsyeja pse trajneri Josa për asnjë moment nuk e ul vigjilencën, duke mos përmendur fjalën titull.

Lajmi i mirë është se te Vllaznia po rikuperohen të gjithë të dëmtuarit. Pas Latifit dhe Boshnjakut, që morën minuta në sfidën e fundit, edhe Bulatovic po përmirësohet dita-ditës dhe mund të jetë në stol për sfidën e së dielës. Po ashtu edhe Juriç po rehabilitohet shpejt.

Tani të gjithë në Shkodër presin vazhdimësi, gjë që i ka munguar Vllaznisë këtë sezon, duke treguar oshilacione, sidomos në ndeshjet në transfertë, ku kuqeblutë renditen të pestët, duke grumbulluar 14 pikë, 5 më pak se Egnatia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb