Opozita parlamentare duket se nuk po gjen rehat edhe pse nuk ka mbajtur ndonjë peshë të madhe në skenën politike shqiptare. Burime për “BalkanWeb” bënë me dije se grupi parlamentar demokrat i drejtuar nga Rudina Hajdari ka kërkuar që të shkarkohet kryetarja e komisionit të medias Fatjona Dhimitri.

Në mbledhjen e grupit ka pasur debate të shumta dhe Hajdari e disa deputetë kanë kërkuar largimin e Dhimitrit duke iu referuar qëndrimeve të saj sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Autoritetetit të Mediave Audiovizive. Një formë ndëshkimi me sa duket pasi kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik Fatjona Dhimitri i kërkoi pak ditë më parë ministres së Arsimit Besa Shahini të dorëhiqej pas skandalit në shkollën e muzikës në Fier, duke e akuzuar për paaftësi.

Por kërkesa e Hajdarit dhe kolegëve të saj për ta shkarkuar ka të bëjë edhe me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Kjo pasi Dhimitri ka kërkuar informacion të hollësishëm për katër kandidatët, duke përfshirë dhe punësimin e tyre aktual për të mos pasur konflikt interesi. Me sa duket grupi demokrat kërkon një kryetare me një qëndrim më të moderuar dhe jo shumë opozitar për të drejtuar komisionin e medias.

E shtata në listën e PD në qarkun e Gjirokastrës, Fatjona Dhimitri, hyri në parlament pas djegies së mandateve nga ana e deputetëve të PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb