Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e kryetarit të PD, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi kundër masave të sigurisë të vendosura nga SPAK. Berisha kërkoi heqjen e detyrimit për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, për çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”, raporton për BalkanWeb gazetarja Klodiana Lala.

“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha, kundër vendimit nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Gjithashtu, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi edhe masën arrest shtëpie për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi.

“Jamarber Malltezi – Lënien në fuqi të vendimit nr. 21 (87-2025-30), datë 24.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Lideri i opozitës kishte ankimuar masën që caktoi ndaj tij gjyqtari i Apelit të GJKKO, Engert Pëllumbi në 5 janar të këtij viti.

Më herët, në nëntor 2024 Berisha me vendim të GJKKO u nxor nga arresti shtëpiak pas rreth 1 viti.

Ndërkohë, Jamarbër Malltezi, gjithashtu nën akuzë për privatizimin e kompleksit “Partizani”, vijon të jetë në masën e sigurisë arrest në shtëpi.

SPAK ngriti ndaj Berishës akuzën e korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij lidhur me ish-kompleksin Partizani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb