Është shtyrë seanca në lidhje me kërkesën e ish-kryeministrit Sali Baerisha në lidhje me ndryshimin e masës së sigurisë.

Gjykata konstatoi që në fletëthirrje nuk është vendosur që Berisha të përfaqësohet në mungesë nga avokatët.

Seanca e radhës u caktua më datë 8 Mars.

Avokati i tij Genc Gjokutaj u shpreh për mediat se gjyqtari i vërtetë i kësaj çështjeje është kryeministri Edi Rama.

Gjokutaj:

Sot kishim seancën e shtyrë nga seanca e kaluar për revokimin e masës së sigurisë arrest shtëpie për Berishën.

Gjykata nuk e pranoi arsyetimin që ne ta përfaqësojmë në mungesë. Në qëllimin e saj që i ka vendosur vetes për të djegur mandatin e Berishës, e shtyu sërish pa asnjë shkak ligjor.

Pyesni Ramën në lidhje me këtë gjyq. Si do shkojë? Nga ai mund të merrni një përgjigje më të saktë, sepse ai është gjyqtari i vërtetë i kësaj çështjeje.

NJOFTIM PËR MEDIAT

Sot në datë 04.03.2024, ditë e Hënë, ora 11.00, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Irena Gjoka, u zhvillua seanca gjyqësore për marrjen  në shqyrtim të kërkesës penale regjistruar pranë kësaj gjykate, me nr. 125 regj themeltar, datë 23.02.2024, që i përket:

KËRKUES: Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, dtl.15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr.personal E40701031R, përfaqësuar me prokurë të posaçme nga av.Genc Gjokutaj dhe av.Sokol Mëngjesi.  

OBJEKTI: Kërkohet revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr.112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vazhduar zbatimi me Vendimin nr.117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj kërkuesit lënë në fuqi me vendimin nr.56, date 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndryshuar me vendimin nr.520, date 30.12.2023, lënë në fuqi nga  Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

BAZA LIGJORE: Nenet 228, 229, 260 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata pasi kreu verifikimin e paraqitjes së palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht, kërkuesi/i hetuari Sali Berisha. Referuar akteve respektive të njoftimit të depozituara nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore, Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, rezultoi se shtetasi nën hetim Sali Berisha, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi” kishte refuzuar të firmosë fletëthirrjen, dokumentuar nëpërmjet kopjes së saj, të kthyer në gjykatë, të nënshkruar nga specialistët e zonës. Gjykata ndonëse konstatoi refuzimin për të nënshkruar, e  konsideroi njoftimin si të kryer. Pavarësisht dijenisë personalisht për datën dhe orën e zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, në kushtet që kërkuesi/i hetuari Sali Berisha ndodhet me masë sigurimi personal shtrëngues “arrest në shtëpi“, nuk rezulton vullneti i tij lidhur me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo, për sa kohë nuk mund të paraqitet si shtetas i lirë në gjykatë.

Në këto kushte, Gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën për në datën: 08.03.2024, ditë e premte ora 09.00.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: