Presidenti ukrainas nuk do të flasë në Festivalin e Sanremos në Itali, por do të dërgojë një letër e cila do të lexohet nga moderatori.

Pas polemikave të ditëve të fundit në lidhje me fjalimin e Zelenskyt gjatë mbrëmjes së finales së Sanremos, drejtori i festivalit, njoftoi se presidenti i Ukrainës do të dërgojë vetëm një tekst që do të lexohet nga moderatori, Amadeus.

Gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e Festivalit, Stefano Coletta sqaroi modalitetet e ndërhyrjes e cila javët e fundit ka ngritur polemika.

“Ne jemi në kontakt me ambasadorin ukrainas. Presidenti nuk do të dërgojë një video por një tekst. Amadeus do ta lexojë atë. Përmes ambasadorit na u bë e ditur se Zelensky kishte kënaqësinë të shkruante një letër e cila do të lexohet nga Amadeus”, tha Coletta.

Po ashtu, Coletta përjashtoi tezën se teksti mund të “kontrollohet” përpara se të lexohet.

“Një regjisor Rai, nuk mund të censurojë një president”, tha ai.

Nga ana tjetër, duket se Rusia është ‘gëzuar’ që Zelensky nuk do t’i drejtohet italianëve me një video nga ky festival.

Moska me ironi ka thënë “Sa keq për Zelensky-n, ai mund ta kishte fituar Festivalin”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova shprehu me ironi “zhgënjimin e saj”, duke thënë se ndoshta ai mund ta kishte fituar konkursin me një këngë rep.

“Zelensky nuk do të dërgojë një video mesazh në Festivalin e Sanremos, por do të dërgojë tekstin. Epo nuk e di, ai mund ta kishte fituar këtë konkurs edhe me një këngë rep”.

Festivali i Sanremos është i njohur në Rusi dhe është ndjekur veçanërisht në kohën e Bashkimit Sovjetik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb