Trupat ukrainase kanë njoftuar sot se një vajzë katërvjeçare e bllokuar nën uzinën e çelikut Azovstal në Mariupol, tashmë është shpëtuar.

Katër vjeçarja u bë e famshme teksa “pushtoi” mediat botërore me videon e shpërndarë ndërkohë që ishte ende e bllokuar në uzinën Azovstal, ku shprehej se dëshironte të evakuohej, ndërkohë që sulmet dhe granatimet ruse mbi objekt vijonin, pavarësisht se dihej që atje veç ushtarëve ukrainas kishte edhe qindra civilë, raportoin DailyMail.

Trupat ukrainase kanë lajmëruar se Alice, u nxor jashtë në fundjavë pasi civilët e fundit të bllokuar atje u lejuan të largoheshin.

Por batalioni Azov, i cili është i izoluar brenda fabrikës së çelikut, tani pretendon se ajo është ndarë nga nëna e saj – Viktoria Obidina – e cila është dërguar në Rusi nëpërmjet një kampi filtrimi.

Alice mbërriti në Zaporizhzhia, qyteti ukrainas ku po merren të evakuuarit Azovstal, të dielën.

Por Viktoria u detyrua të qëndronte prapa në një rajon të Donetsk, i cili aktualisht është i pushtuar nga rebelët e mbështetur nga Rusia, pasi kaloi nëpër një kamp filtrimi.

Ukraina thotë se trupat e Putinit po përdorin kampe të tilla për të çrrënjosur këdo që ka lidhje me qeverinë ose ushtrinë ukrainase dhe për t’i dëbuar ata thellë në Rusi.

Viktoria mendohet të jetë veçuar sepse ajo punonte si mjeke ushtarake, duke u kujdesur për ushtarët që u plagosën në betejën për Azovstal.

Vendndodhja e saj e saktë tani nuk dihet, megjithëse Kievi ka thënë më parë se njerëzit po dërgohen deri në Sakhalin – një ishull në brigjet e Japonisë.

Zyrtarët ukrainas kanë ngritur dyshime nëse ajo do të lejohet ndonjëherë të kthehet në vend për t’u kujdesur për vajzën e saj.

Përkundrazi, për Alice do të kujdesen të afërmit që jetojnë larg vijave të para të frontit.

“Alice tani është e sigurt. Ajo u strehua përkohësisht nga një punonjës i Administratës Ushtarake të Zaporizhzhia në Ukrainë. Të afërmit e Alices janë gjetur tani. Në të ardhmen e afërt, fëmija do të transferohet te të afërmit në një rajon të sigurt të Ukrainës”, tha Lyudmila Denisova, komisionerja për të drejtat e njeriut në parlamentin ukrainas.

Denisova akuzoi “rashistët” – domethënë fashistët rusë – për “shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve ukrainas të garantuara nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve dhe Konventa e Gjenevës.

“I bëj thirrje Komisionit të OKB-së për Hetimin e Shkeljeve të të Drejtave të Njeriut gjatë pushtimit ushtarak rus të Ukrainës që të marrë parasysh këto fakte të shkeljeve të të drejtave të fëmijëve nga Rusia në Ukrainë.”

Screenshot 8

Screenshot 9
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb