Planet e sulmuesit të Chelsea, Armando Broja, për të ndërtuar një shtëpi të ëndrrave prej 4 milionë paund, janë shuar. 22-vjeçari kuqezi dëshironte të rrëzonte shtëpinë e tij ekzistuese me katër dhoma gjumi, për t’i hapur rrugë një ndërtese të re luksoze me një pishinë, spa dhe kinema.

Por, autoritetet i refuzuan lejen, duke i thënë se projekti i paraqitur ishte shumë i madh. Në këtë mënyrë projektit të paraqitur nga Broja iu nxorr “kartoni i kuq”, edhe pse nuk kishte kundërshtime nga fqinjët.

Broja, tani i huazuar te Everton, bleu pronën private prej 1.8 milionë £ në Surrey pranë terrenit të stërvitjes Cobham të Chelsea në dhjetor.

Atij fillimisht iu dha miratimi nga Këshilli i Borough-it të Elmbridge për të ndërtuar një pishinë 36 x 14 këmbë dhe një palestër në fillim të këtij viti.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Por Broja, më pas aplikoi për të shembur shtëpinë dhe për të ndërtuar një të re, në gjatësi pothuajse 3 herë sa ekzistuesja.

“Si rezultat i rritjes së konsiderueshme në gjatësi dhe lartësi, konsiderohet se pjesa më e madhe, shkalla dhe masa e propozuar do të tejkalonte shumë atë të shtëpisë ekzistuese që do të zëvendësonte dhe atë të pronave fqinje.

Banesa e propozuar zëvendësuese do të mbushte pjesën më të madhe të gjatësisë së parcelës e cila nuk është në përputhje me strukturën urbane dhe modelin e ndërtesave në peizazhin e rrugës që janë me densitet të ulët në zonën lokale”, thuhet në dokumentin që i refuzon lejen.

“Megjithëse vendi i aplikimit është një parcelë e gjerë, shtëpia e propozuar zëvendësuese do të ishte joproporcionale, jo karakteristike dhe e papërputhshme në madhësinë dhe pamjen e saj në krahasim me shtëpinë ekzistuese”, thuhet në vijim.

Projekti për ndërtimin e ri përfshinte një korridor të madh hyrjeje me dy lartësi, vendstrehim, studim dhe tarracë të mbuluar në natyrë me pamje nga një kopsht 158 ​​x 52 metra.

Por zyrtarët e këshillit e kritikuan dizajnin e tij si “shumë të zymtë” për zonën që përmban kryesisht shtëpi të stilit të artit dhe artizanatit.

Dhe ata thanë se portat hyrëse të propozuara 6 këmbë të larta x 10 këmbë të gjera do të jepnin një “ndjesi më të madhe mbylljeje”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb