TIRANË

Deputetja e PS-së Ermonela Felaj ka lexuar sot padinë ndaj kryetares së komisionit parlamentar hetimor për inceneratorët drejtuar SPAK për takimin që Jorida Tabaku pati sot me kreun e Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja.

“Sipas deklarimeve që keni bërë gjatë ditës së sotme, ju qartësisht keni kërkuar që të nxisni SPAK për të vepruar konform interesave politik të PD. I keni ofruar mbështetje politike SPAK, keni ofruar dokumente në dispozicion ende pa marrë një vendim Kuvendi. Në momentin kur mbaron hetimi do duhet t’i adresojë një raport. Asnjë deputet nuk ka të drejtë të marrë dokumente nga këtu dhe t’i çojë diku tjetër. Ky komision nuk është ngritur vetiu, i detyruar t’i përmbahet detyrimeve që i ka caktuar Kuvendi i Shqipërisë. Jemi ballafaquar me deputetë që nuk kanë repsket për Kuvendin, për institucionin, për Kushtetutën. Ndaj kemi vendosur t’i drejtohemi SPAK me këtë kallëzim penal. Ndërhyrja përbën shkelje flagrante të detyrës së Kuvendit. Këto ligje kanë sanksionuar ndërhyrjen e pushtetit ndaj drejtësisë.
Kërkon kredo politike, avantazh politik, duke ushtruar presion ndaj organit të akuzës, duke kërkuar marrjen në dorë të provave. Ndërhyrja në këtë mënyrë, është ndërhyrje flagrante që kompromenton ligjin, punën. Prokurorët janë të pavarur në ushtrimin e detyrës së tyre. Pikërisht se janë të pavarur kanë hequr dorë nga privatësia. Çdo komunikim i tyre është i përgjueshëm. Zonja Tabaku në mënyrë flagrante shkon e zhvillon takime dhe i përdor publikisht për të thënë kemi marrë mbështetje nga SPAK. I kërkojmë SPAK të marrë këtë qëndrim dhe të fillojë ndjekjen penale ndaj zonjës Tabaku. Po shkel ligjin pikë për pikë. Po e bën si personi më karrierist që është bërë në Kuvend”, deklaroi Felaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb