ELBASAN

Në gjykatën e Elbasanit nuk u zhvillua seanca e planifikuar për të shqyrtuar kërkesën për liri të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili kërkon llogaritje të kohës së paraburgimit.

Shkak ishte mungesa e avokatit të tij Maksim Haxhia.

Ish ministri Sajmir Tahiri po vuan dënimin e formës së prerë, pasi është dënuar për shpërdorim detyre. Tahiri dërgoi pak muaj më parë një kërkesë Gjykatës së Elbasanit për njohjen e kohës së paraburgimit.

Seanca e planifikuar gjatë vjeshtës së 2022 u shty pasi u kërkua zëvendësimi i gjyqtarit Elis Dine me gjyqtarin Elton Frashëri i cili kërkoi kohën e mjaftueshme për t’u njohur me përmbajtjen e dosjes. Më 4 shkurt të 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë e dënoi ish-ministrin Sajmir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’.

Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb