Kryeministri Edi Rama deklaroi në emisionin ‘Kjo javë’, studio e të cilit u zhvendos në kalanë e Beratit, se mandati i tretë që ka kërkuar më herët Sali Berisha dhe Fatos Nano, ishin fund i një cikli.

Kjo sipas Ramës, mandati i tretë për PS-në lidhet me projektet që duhet të vazhdojnë që të bëjnë.

Po ashtu Rama u ndal edhe tek premtimet që nuk janë realizuar, siç ishte ndërtimi i disa shkollave, pasi fondi shkoi për rindërtimin.

PJESË NGA INTERVISTA
Jeni kryeministër që kërkoni mandatin e tretë. Nuk jeni i pari, këtë e ka kërkuar edhe z. Berisha apo z. Nano por nuk ia kanë arritur. Nëse fitoni, shënoni një rekord historik. E kërkoni këtë mandat nisur nga fakti që vendi sipas jush nuk ka alternativë, apo nga bilanci i realizimit të premtimeve?

Mandati i tretë ka të bëjë me atë që duhet të vazhdojmë të bëjmë, nuk ka të bëjë, as me të parën, as me të dytën. Dy rastet e mëparshme janë të ndryshme, por sidoqoftë në dy rastet e mëparshme, ka qenë fundi i një cikli, ndërkohë që PS dhe skuadra jonë nuk e ka mbyllur ciklin është një cikël i hapur dhe në çdo drejtim ne kemi punë që duhen çuar para dhe duhen kryer. Që nga reforma në drejtësi dhe domosdoshmëria për të konsoliduar pozicionin e drejtësisë së re që është në rrezik nëse ndërron drejtimi, tek turizmi ku ne tani kemi mundësinë të hyjmë në një epokë të re me investime të mëdha, në radhë të parë me investimin e madh të portit turistik të Durrësit, por edhe të Vlorës, që janë dy investime që tanimë janë në fazën e zbatimit. Me aeroportet e reja, aeroporti i Kukësit për pak ditë do të jetë i realizuar dhe do të bëhet ulja e avionit nga Britania e Madhe e një grupi sharësish të zellshëm që e kanë përqeshur pafund atë përsëritjen time mbi këtë aeroport. Aeroporti i Vlorës pati një bllokim të gjatë për shkak të pandemisë dhe faktit që kompanitë u tërhoqën nga gara, më në fund tani kemi një fitues, Behgjet Pacollin së bashku me një konsorcium të një kompanie të mirënjohur turke. Jemi në fazën e fundit të negociatave sipas ligjit dhe të nënshkrimit të kontratës. Menjëherë me nënshkrimin e kontratës të aeroportit të Vlorës, do të lancojmë aeroportin e Sarandës. Ndërkohë që në aeroportin e Tiranës, falë marrjes në zotërim të tij nga kompania shqiptare tanimë do të nisë zbatimi i investimeve për pistën edhe për terminalin e ri. Ne kur sollëm vaksinat, plani ishte t’i sillnim me një avion të madh ushtarak, nuk mundëm sepse pista nuk na e lejonte këtë gjë, pista e Rinasit. Nuk ka kapacitet për avion të një kategorie të caktuar, ndërkohë ‘Air Albanian’ duam ta çojmë në fluturimet përtej oqeanit dhe për këtë po ashtu na duhet zgjatja e pistës, nuk kemi arritur dot me kompaninë kineze, ishin komplet në botë tjetër. Po kështu në fushën e energjisë, jemi në fazën ku kemi konsoliduar sektorin, tani kemi dy investime madhore me amerikanët, në Skavicë tjetrin në TEC-in e Vlorës për gazin e lëngshëm. Janë investime që e fusin Shqipërinë në një kategori tjetër se Shqipëria kthehet në eksportues neto të energjisë dhe të gjithë ato para që ne i harxhojmë për të importuar energji nuk do të jenë më para që do të harxhohen por do të mbeten këtu në ekonomi. Janë të gjitha arsyet që e bëjnë mandatin e tretë të domosdoshëm, jo për mua personalisht po për Shqipërinë, për të çuar deri në fund këto punë që kemi nisur dhe për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër që të jetë në një pozicion që nuk mund të kthehet më pas dhe këto punë nuk mund të zhbëhen më, siç janë bërë në faza të ndryshme të historisë së tranzicionit, por jo vetëm.

Dakord për të gjitha këto, por pa shkuar te të gjitha këto, kur do të kenë shqiptarët 24 orë ujë të pijshëm?
Sot uji i pijshëm nuk është më një temë ku ne bëjmë parashikime bazuar në dëshira, sot uji i pijshëm është një temë që trajtohet në 120 kantiere në të gjithë Shqipërinë. Një pjesë kanë nisur ta kenë, psh Kruja, sikundër edhe zona të tjera, por gjithë programi me të gjitha investimet që janë në proces, mbyllet në 2022. Pikëpyetja e vetme mbetet Tirana, midis 2022 dhe 2023.

Çfarë premtimi nuk keni realizuar z. Rama? Nisur nga premtimet e 2013-s dhe 2017-s, për çfarë e ktheni kokën pas ku mendoni se mund të kishit bërë më mirë?
Kur një opozitë del në një fushatë për të fituar dhe për të qeverisur, ndërton një fushatë bazuar në një ambicie të madhe dhe bazuar në ato projeksione që bëhen nga jashtë. Ndërsa kur futesh në qeveri, ndodh ajo që mishërohet në atë shprehjen që ‘jeta është ajo që na ndodh ndërkohë që kemi bërë plane të tjera’. Edhe sot ne diskutojmë sikur këtu ne kemi mbyllur dy mandate të zakonshme. Në fakt nuk është e vërtetë. Ne po jetojmë një mandat që është mandati më i jashtëzakonshëm në historinë e Shqipërisë pluraliste dhe do mbetet i tillë, për shkak se u thye në mes nga një tërmet dhe një pandemi që ndodh një herë në shekull. Dhe kur ndodhin të tilla gjëra ti je i detyruar t’i spostosh komplet projektet, buxhetet dhe je i detyruar të lësh pas dore shumë gjëra. Ndaj nëse do kthehesha pas, do të doja që të mos kishte tërmet, të mos kishte pandemi. Isha në Berat në një takim me mësues, dhe drejtoresha e një shkolle më foli për gjendjen e shkollës. Në fakt ishte një projekt gati për financim dhe ashtu si ajo shkollë, një sërë shkollash të tjera nuk u financuan sepse të gjithë paratë shkuan për rindërtimin e shkollave që u rrënuan nga tërmeti. Pra, ka shumë gjëra të kësaj natyre që janë spostuar në kohë, por që do të bëhen patjetër. Por edhe pa tërmetin dhe pa pandeminë, ka procese që ti nuk i zotëron 100 %. Ne kemi folur për ‘Korridorin blu’, prej 2013 dhe pati një tallje të madhe, më pas ‘Koridori blu’ u kthye në prioritet të procesit të Berlinit, ne pritëm të financoheshim nga procesi i Berlinit ne pritëm të financohej nuk ndodhi, më pas i hymë vetë, u futëm në proces për investimin e madh të disa segmenteve me PPP, pastaj e anuluam pjesën kryesore, e më pas edhe pjesën tjetër. Më pas u futën në një garë ndërkombëtare, u tha që ne e kishim parapërgatitur garën dhe do fitonte një firmë greke, doli opozita hodhi baltë, në fakt nuk u materializua gara në fund sepse kompania nuk i plotësoi ato kushte që për ne ishin shumë të rëndësishme. Nuk e thonë kot, që fushata është poezi e qeverisja është prozë.

Kancelarja gjermane kërkoi ndjesë publike për një vendim jo popullor për mbylljen në prag të festës së pashkëve? Po ju, a ka diçka për të cilën kërkoni ndjesë?
Unë kam kërkuar ndjesë. Kam kërkuar ndjesë për rastin e Kukësit, sepse u ndërtua një strategji e gabuar. Pavarësisht se nuk isha unë që i kisha bërë llogaritë, kuptova që njerëzit kishin të drejtë dhe kërkova ndjesë. Ndjesa është pjesë e pandashme e një procesi udhëheqjeje kur lidershipi ka karakter.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb