Presidenti i Organizatës së Studentëve Europianë të Drejtësisë, e njohur si ELSA Albania, Marash Logu ka deklaruar se Gjykata Administrative Tiranë ka vendosur që të mos marrë asnjë vendim për kërkesën e studentëve për pezullimin e zgjedhjeve në Universitete në 30 korrik.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Logu thekson se për shkak se gjyqtarja e kishte axhendën e zënë dhe në gusht merrte pushimet, vendosi që seanca e ardhshme të zhvillohej më 18 Shtator, pavarësisht se zgjedhjet zhvillohen më 30 korrik.

Sipas tij, vendimi për të mos vendosur mbi kërkesën për pezullim është një rast i padëgjuar më parë në historinë e jurisprudencës shqiptare, ndërsa shtoi se studentët, me mbështetjen e Qëndresa Qytetare, mbetën të vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës që kanë filluar për të zhvilluar zgjedhje të rregullta e të ligjshme në UT.

“Betejën ndaj frikës, presioneve apo ndërhyrjeve të paligjshme, studentët e kanë fituar në Dhjetor 2018, dhe askush nuk mund t’i ndalë më për të drejtat e tyre. Aq më pak një sistem gjyqësor, apo një rreth i mbyllur drejtuesish të universiteteve, që po perëndon cdo ditë. Beteja për garantimin e standardeve, rritjen e përfaqësimit dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë vazhdon!”, pohon ai në reagimin e tij.

REAGIMI I LOGUT
GJYKATA ADMINISTRATIVE TIRANË VENDOSI “TË MOS VENDOSË PËR ZGJEDHJET E 30 KORRIKUT NË UT”
Rreth dy muaj, pasi studentët depozituan padinë kundër zgjedhjeve të paligjshme në Universitetin e Tiranës—në shkelje të afateve ligjore të parashikuara nga neni 202 i Kodit të Procedurës Civile dhe neni 28 i ligjit Nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”—Gjykata Administrative Tiranë vendosi të mos marrë vendim mbi kërkesën e studentëve për pezullimin e procesit zgjedhor në UT deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata për (pa)ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve. Jo vetëm kaq, por për shkak se gjyqtarja e kishte axhendën e zënë dhe në gusht merrte pushimet, vendosi që seanca e ardhshme të zhvillohej më 18 Shtator, pavarësisht se e informuam se zgjedhjet zhvilloheshin më 30 Korrik.

Megjithëse, vendimi për të mos vendosur mbi kërkesën për pezullim është një rast i padëgjuar më parë në historinë e jurisprudencës shqiptare, studentët, me mbështetjen e Qëndresa Qytetare, mbetën të vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës që kanë filluar për të zhvilluar zgjedhje të rregullta e të ligjshme në UT. Prandaj, jo vetëm do ta vazhdojnë procesin gjyqësor dhe do t’i shkojnë deri në fund, por duke filluar nga java tjetër do të depozitojnë një kërkesë të re për pezullimin e zgjedhjeve në UT. Nëse edhe për këtë kërkesë, gjykata do të vendosë të mos vendosë, atëherë ne do t’i drejtohemi shkallëve më të larta të gjyqësorit për vendimmarrje, por edhe organeve kompetente për të marrë masa ndaj gjyqtares që prodhon vendime absurde dhe të paligjshme.

Betejën ndaj frikës, presioneve apo ndërhyrjeve të paligjshme, studentët e kanë fituar në Dhjetor 2018, dhe askush nuk mund t’i ndalë më për të drejtat e tyre. Aq më pak një sistem gjyqësor, apo një rreth i mbyllur drejtuesish të universiteteve, që po perëndon cdo ditë. Beteja për garantimin e standardeve, rritjen e përfaqësimit dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë vazhdon!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: