TIRANE

Nuk kanë fund problemet për Tiranën, as për tifozët bardheblu, kaosi në tribuna dhe përçaja ndërmjet palëve vijon të jetë prezent në çdo sfidë. “Lufta” e hapur që tifozët “Fanatiks” i kanë shpallur presidentit Halili por së fundmi edhe lojtarëve po dënon në mënyrë drastike të gjithë “popullin bardheblu”.

Ngjarja e shëmtuar që solli post sfida Tirana-Kukësi, ku disa tifozë u futën në fushë në tentative për ti hequr fanellat lojtarëve, nuk ka kaluar pa pasoja. Komisioni i Disiplinës ka dënuar klubin e Tiranës me dy ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës për shkak të dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke u futur brenda pjesës së rrethuar të fushës dhe duke shkaktuar akte dhune ndaj lojtarëve.

Në një kohë kur opinioni sportiv priste një dënim më të ashpër, pasi ajo ishte një ngjarje e shëmtuar, FSHF tregohet bujare me klubin bardheblu duke e dënuar me vetëm dy ndeshje. Në këtë mënyrë Tirana është e detyruar të luaj ndaj Skënderbeut pa tifozë ndërsa ndaj Kastriotit kanë të drejtë ta konvertojnë dënimin me gjobë, gjithnjë nëse drejtuesit e klubit do ta bëjnë diçka të tillë duke parë që tifozët, mbi të gjitha grupimet ultras po i vijnë pak në ndihmë lojtarëve ne fushë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb