Nga: ZONJA KATERINA

400 gr mish të grirë
2 qepë mesatare
1 fetë bukë
1 kokërr vezë
2 lugë miell
4-5 lgj vaj ulliri
Kripë, piper, majdanoz

Për salcën:
1 qepë
1 lgj miell
2-3 lgj uthull
3-4 thelpinj hudhër
1 lugë supe salcë domate
1-2 gjethe dafine
Kripë, piper, majdanoz

Fillimisht nisim me përgatitjet e qofteve. Në një enë vendosim mishin e grirë, qepën e grirë imët, një lugë vaj ulliri, bukën e zbutur, vezën, kripën, piperin dhe majdanozin. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit dhe e lemë brumin e qofteve të pushojë për të paktën 20-30 minuta.

E punojmë brumin e qofteve pak me duar dhe realizojmë qofte të vogla cilindrike si kërnacka. I rrjeshtojmë kërnackat në një tavë të spërkatur me miell dhe i lyejmë nga të gjitha anët. Në një tigan hedhim pak vaj dhe sapo të ngrohet vendosim kërnackat të skuqen lehtë nga të dyja anët. I vendosim më pas kërnackat në një tavë të lyer me pak vaj.

Në vajin ku skuqëm kërnackat kaurdisim një qepë, shtojmë më pas 1 lugë miell dhe e kaurdisim derisa të ndryshojë ngjyrë. E shuajmë më pas miellin me uthull dhe shtojmë salcën. E përziejmë duke rregulluar shijen me kripë dhe piper, shtojmë dhe pak ujë dhe e lemë salcën të marrë valë dhe të lidhet. Në fund shtojmë hudhrat e shtypura dhe 1-2 gjethe dafine.

Salcën e përgatitur e hedhim mbi kërnackat dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturën 200 gradë për 15-20 minuta. Kërnackat e furrës me salcë i servirim me majdanoz të freskët shoqëruar me pak pilaf ose perime sipas dëshirës.

(Vila24/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb