NGA ZONJA VJOLLCA*

800 gr kërpudha
400 gr brokoli
500 gr patate
75 gr pançetë
1 kokërr qepë
1 lugë gjelle miell
250 ml qumësht
100 gr ajkë
1 lugë çaji vegetë
20 gr gjalpë
Piper i bardhë
Arrë moskat
Majdanoz

Fillimisht ziejmë patatet të qëruara nga lëkura për 25 minuta. Në 5 minutëshin e fundit shtojmë edhe brokolin. Pastrojmë kërpudhat nga bishtat dhe pjesën e hequr e presim në kubikë të vegjël. Në një tigan vendosim pançetën e lemë derisa të bëhet krokante, më pas e largojmë dhe e vendosim në një pjatë me letër kuzhine. Po në të njëjtin tigan kaurdisim me pak gjalpë qepën të prerë në kubikë bashkë me kërpudhat e grira. I kaurdisim mirë derisa të zbuten, i pudrosim me një lugë gjelle miell, i kaurdisim dhe për pak minuta bashkë me miellin dhe më pas shtojmë qumështin dhe ajkën. E lemë derisa të kalojë në vlim duke shtuar vegetën, piperin e bardhë, arrën moskat dhe majdanozin e grirë imët.
Ndërkohë patatet e ziera dhe brokolin i kalojmë në pure duke shtuar në të pak gjalpë, kripë, piper të bardhë dhe arrë moskat. Vendosim purenë në një xhep pastiçerie dhe mbushim kërpudhat. I vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë për 15 minuta. I servirim kërpudhat me salcën e përgatitur me ajkë dhe pançetën krokante.

(m.k/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb