BRUKSEL- Je suis Bruxellois! (Unë jam nga Brukseli!), deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili mbërriti në kryeqytetin belg për t’i shprehur ngushëllimet zyrtare amerikane Belgjikës, e përfshirë nga sulmet më të rënda terroriste në historinë e saj.

“Jam këtu për të shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta. Sulmet e Brukselit theksojnë domosdoshmërinë e kundërpërgjigjes ndaj ekstremizmit të dhunshëm me frenimin e ISIS-it”, tha Kerry edhe në një postim në Twitter.

Kerry mbërriti mëngjesin e sotëm në Bruksel, pas një vizite në Moskë ku zhvilloi bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin për të përshpejtuar procesin e tranzicionit politik, pas një muaj armëpushimi në Siri, ku Shteti Islamik ka marrë nën kontroll territore të shumta dhe ku luftojnë një kontigjent i shumtë i xhihadistëve evropianë. Sakaq, Kerry pritet të takohet me kryeministrin belg, Charles Michel dhe mbretin Filip, ndërsa vendi sapo ka kaluar tri ditë zi kombëtare.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: