SHBA- Sekretari amerikan i shtetit John Kerry tha sot se ISIS duhet luftuar në çdo front dhe se ky nuk është një problem vetëm i Irakut dhe Sirisë por i të gjithë botës. Deklaratat e tij u bënë menjëherë pas takimeve që pati në Londër me ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar Philip Hammond dhe krerët e tjerë të diplomacive, partnere të SHBA-ve në luftën kundër Shtetit Islamik që Kerry e përcaktoi si një problem global.

Sekretari amerikan i shtetit tha se ndonëse lufta ndaj ekstremistëve nuk është aspak e lehtë koalicioni i shteteve kundër terrorizmit është i vendosur për të mposhtur njëherë e mirë këto grupe radikale.

“Ne do të vlerësojmë të gjithë kontributin e anëtarëve duke zgjedhur një linjë. Kemi nevojë të jemi të mirëkoordinuar për kontributin që gjithsecili do japë. Të gjithë shtetet anëtare do vazhdojnë kontributin dhe të sigurohemi që kemi unitet për të vazhduar luftën kundër grupimeve ekstremiste. Do të dërgojmë në terren edhe grupet tona dhe kur të rikthehen të sjellin informacion rreth metodologjive që përdorin”, tha Kerry.

Ai shtoi se do vijojë trajnimi i trupave të tjerë për t’u kundërpërgjigjur ISIS. “Sigurisht do kemi një tjetër takim në Washington për masat shtesë që qeveritë e koalicionit do të duhet të ndërmarrin. Ky koalicion ka marrë rrugën e tij për të mposhtur njëherë e mirë grupet ekstremiste radikale, fillimisht ata që veprojnë në Irak. ISIS ka fituar pak terren por kjo nuk do thotë se lufta e tyre është optimiste për të vazhduar më tej. Rreth 2 mijë trupa nga ajri do arrijnë t’i mposhtin. Trupat që vazhdojnë trajnimin në Irak janë gati t’ju kundërpërgjigjen. Do vazhdojmë të trajnojmë trupa në Turqi dhe Arabi. Nuk do jetë një luftë e thjeshtë. Duhet të ndërmarrim më shumë hapa konkretë” , tha Kerry.

Gjatë fjalës së tij sekretari i shteti amerikan u shpreh se prioritet mbetet lirimi i territoreve të uzurpuara nga ISIS, që komunitet të vijojnë jetën normale në këto vende.

“Prioritet është lirimi i territoreve nga ISIS që komunitetet të vijojnë jetën e tyre. Do të jetë bashkëpunim i mirëkoordinuar me të gjitha vendet. Gratë dhe vajzat kanë qenë në shënjestër të këtyre luftimeve. Kjo do të jetë një luftë që do na bashkojë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Kerry, tha se në valën e operacioneve kundër celulave terroriste në Europë, janë lokalizuar dhe shkatërruar të tilla edhe në Kosovë, përveç se në disa vende të tjera europiane dhe aziatike.

“Qeliza me luftëtarë të huaj janë goditur në Austri, Malajzi, Kosovë e në vende të tjerë, luftëtarë të huaj janë ndjekur penalisht, si në Gjermani, Australi dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Arabia Saudite ka lëshuar dekrete zyrtare për ta shpallur organizatë kriminale Shtetin Islamik dhe ka shkatërruar celula të tij të lidhura me Sirinë. Po shkatërrojmë kapacitetin e ISIS­it për rafinimin e naftës, që pengon financimin e tij nga tregtia e naftës. Ka shenja të qarta se nismat tona i kanë kufizuar operacionet e Shtetit Islamik”, tha ai.

Koalicioni Kundër terrorizmit funksion prej pesë muajsh dhe pjesëmarrës në këtë koalicion janë 22 shtete

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: