Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, porositi homologun e tij rus, Sergei Lavrov, se Uashingtoni nuk do të nisë fushatë të përbashkët të sulmeve kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri, derisa ndihmat të mos arrijnë tek banorët e rrethuar.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, tha se Kerry ka biseduar me Lavrovin përmes telefonit dhe ka thënë se SHBA pret që Moska të ushtrojë ndikimin e saj mbi presidentin sirian, Bashar al-Assad, për të lejuar kamionët e OKB-së me ndihma humanitare që të arrijnë në Alepo dhe zona të tjera ku ka nevojë.
Departamenti i Shtetit tha se vonesat e ndihmave janë përsëritur dhe janë të papranueshme.
Një armëpushim në Siri ka hyrë në fuqi më 12 shtator dhe është duke u respektuar në pjesën më të madhe.
Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, mbi 400,000 veta kanë humbur jetën në luftën e Sirisë, e cila ka nisur në vitin 2011.
(d.d/BalkanWeb)