Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, nesër gjatë qëndrimit të shkurtër në Aeroportin e Prishtinës, do të takojë Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe dy zëvendëskryeministrat Hashim Thaçin dhe Branimir Stojanovic.

Për shkak të axhendës së ngjeshur, Kerry nuk do të vijë fare në Prishtinë, por takimet do t’i realizojë në Aeroportin e Prishtinës.

Burime të konfirmuara të Gazetës Express bëjnë të ditur se Sekretari Amerikan i Shtetit do të takojë vetëm Kryeministrin Mustafa dhe dy zëvendëskryeministrat Branimir Stojanovic dhe Hashim Thaçin, i cili është edhe Ministër i Jashtëm.

E pranishme në takimin me Kerry do të jetë edhe Ndihmës sekretarja Victoria Nuland. Takimi me zyrtarë kosovarë do të jetë i përbashkët, në një zyrë të improvizuar, në Aeroportin e Prishtinës. Ndërkohë pas takimit do të ketë vetëm prononcime të Kerryt dhe Kryeministrit Mustafa, por pa mundësi për pyetje nga gazetarët.

Kerry nuk do ta takojë Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila ditë më parë e ka takuar Zëvendëspresidentin Joe Biden, në Kroaci. Vizita e Kerryt në Kosovë dhe rajon ka zgjuar edhe interesimin e mediave ndërkombëtare të cilat kanë bërë me dije se Kerry me autoritete e Kosovës do të ngrejë çështjen e pjesëmarrjes së kosovarëve në ISIS, çështjen e korrupsionit në Kosovë dhe dialogun me Kosovën dhe Serbinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb