TIRANË

Kreu i PD-së Sali Berisha bëri thirrje për t’i dhënë fund qeverisjes duke nisur nga protesta e 7 korrikut, si një fillim i fuqishëm, siç e cilësoi ai për shpëtimin e Shqipërisë.

Në një aktivitet me shoqërinë civile, Berisha tha se kësaj gjendjeje duhet t’i japim fund dhe se Edi Rama nuk mund të tallet më me shqiptarët.

“I rëndësishëm një front kombëtar i cili të përballet me një regjim, një autokraci elektorale që bën zgjedhje dhe rrëmben zgjedhje, që u rrëmben zgjedhjet qytetarëve dhe pastaj qeveris duke pyetur zyrat e PS-së si anketa popullore. Kësaj gjendjeje duhet t’i japim fund. Edi Rama nuk mund të tallet më me shqiptarët. Edi Rama të bëjë zgjidhjen e tij. E kam vëlla Vuçiçin, por dua të kem dhe Albinin, çfarë është kjo? Faktikisht është rreshtim i tij në anë të kundërt të asaj ku duhet të rreshtohet Shqipëria. Nuk ka integrim me Edi Ramën. Bullgaria është vetëm preteksti, Shqipëria siç thotë PE nuk plotëson kriteret. Ne nuk kemi drejtim tjetër përveç drejtimit europian. Ndaj dhe ju ftoj që këto ditë të bëjmë gjithçka për suksesin e madh të protestës së datës 7, e cila duhet të shënojë një fillim të fuqishëm të këtij fronti që nuk do ndalet në përpjekjet e tij deri në shpëtimin e Shqipërisë nga ky regjim që po varfëron çdo ditë e më shumë që po shkelmon interesat kombëtare, që po shkreton vendin duke përzënë shqiptarët nga vatrat e tyre familjare”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb