Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) tentoi së fundmi një procedurë optimizmi të energjisë duke kërkuar që të shiste të paktën 28 600 MWh energji në orarin e pikut 17:00 me 22:00 si dhe të blinte 22 320 MWh energji në orarin më të lirë atë 00:00-06:00 por që nuk ka rezultuar me sukses për të dyja proceset. Në shpalljen që përfshinte periudhën nga 1 deri në 31 gusht dhe ku u bëhej kërkesë për blerje dhe shitje paralele ka rezultuar vetëm përmbyllja e kontratave të blerjes.


Pra KESH ka rritur të sigurojë një sasi 22 320 MWh energji si blerës me një çmim minimal prej 46.99 euro/MWh dhe me një çmim maksimal prej 49.33 euro/MWh. Çmimi mesatar i ponderuar ka rezultuar 48.8 euro MWh dhe vlera finale për kontratën për këtë sasi energjie është pak më shumë se 1 milionë euro.


Lidhur me procedurën e shitjes së energjisë nuk jepen detaje nëse kjo ka ardhur pasi nuk ka pasur blerës të interesuar apo nëse çmimet që janë ofruar për këtë procedurë nuk janë gjykuar të leverdishëm nga ana e Korporatës. Kjo e fundit është duke përjetuar këtë vit një vit të vështirë për shkak të situatës hidrike problematike në kaskadën e Drinit.


Më herët gjatë korrikut KESH-i bleu edhe një sasi tjetër energjie prej 10 200 MWh ku çmimi më i lartë me të cilin u ble një megavat/orë ishte 55.7 euro ndërsa çmimi minimal 46.4 euro. Sasia totale e energjisë së blerë llogaritur me çmimin e ponderuar rezultoi ti kushtonte KESH-it 537 mijë euro.

Pas kësaj procedurë KESH shiti 4000 MWH energji në treg të lirë në një përpjekje për të optimizuar portofolin e tij duke zgjedhur oraret kur blihet më lirë dhe kur shitet më shtrenjtë. Optizmimi i portofolit është një praktikë që ndiqet herë pas here nga Korporata si një përpjekje për të siguruar disa të ardhura më shumë në kushtet e situatës së vështirë hidrike. Kjo situatë e këtij viti është cilësuar më problematike edhe se ajo në vitin 2017 kur kompanitë e sistemit energjetik si KESH edhe OSHEE u detyruan të blejnë energji në sasi të konsiderueshme për të plotësuar konsumin në vend. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: