Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bisedë online më zv. Presidentin e Komisionit Europian, njëkohësisht Komisioner për Mënyrën Europiane të jetesës, Margaritis Schinas.

Mes të tjerash, Komisioneri Schinas u shpreh i kënaqur me entuziazmin dhe përkushtimin e Lulzim Bashës ndaj Europës. Ai e vlerësoi si krejtësisht të mundur hapjen e negociatave pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe e nxiti Bashën që të çojë përpara mesazhin e ringjalljes ekonomike. Schinas vlerësoi veçanërisht rolin e Bashës në arritjet e mëparshme të vendit në fushën e integrimit europian. “Ju personalisht si ish-Ministër i Brendshëm, keni shumë arsye për t’u krenuar me atë që është bërë tashmë dhe natyrisht ky liberalizim i vizave nuk është një gjë e lehtë dhe nuk ishte e sigurt. Ju e dini sa komplekse ishte dhe këshilla ime është të mos tregoheni shumë modestë në lidhje me të. Kjo është diçka që ju, si udhëheqës dhe si individ, duhet ta tregoni më shumë, si diçka në politikë që ka ndryshuar gjërat për mirë.”

Zv.Presidenti Schinas e falënderoi Bashën për angazhimin e tij në Europë dhe u shpreh se ky është ligjërimi në Europë: një domosdoshmëri për një lloj normalizimi i politikës dhe nxitje e njerëzve që të shohin se mund të ecet përpara.

Nga ana e tij, kryetari Basha nënvizoi angazhimin e tij për të kthyer normalitetin në kulturën politike shqiptare. Këto zgjedhje – u shpreh ai – kanë të bëjnë më njerëzit, të ardhmen e tyre. Prandaj është e domosdoshme që të shkojmë tek njerëzit me propozime realiste – tha Basha.

“Ne propozojme një taksë të sheshtë prej 9%, barazinë para ligjit ku të gjithë trajtohen njësoj dhe jo ku një pjesë e njerëzve po gllabërojnë buxhetin, pronat , pasuritë publike të vendit dhe të gjithë të tjerët vuajnë. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me ecjen përpara drejt të ardhmes në BE ose për të vazhduar qëndrimin në vendnumëro si ne keto tetë vjet. Këto zgjedhje nuk jane një luftë personale midis meje dhe kundërshtarit tim. Por ato duhet të jenë të lira dhe të ndershëm siç kanë nënvizuar dhe vazhdojne të nënvizojnë çdo ditë komisioni dhe këshilli dhe partnerët tanë strategjikë të SHBA” – përfundoi Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb