TIRANE – Mbi 500 njerëz në ditë po sëmuren nga virozat gripale të kësaj vjeshte, e kjo shifër është vetëm në Tiranë. Pak a shumë të gjithë duam të dimë më shumë për të, si shfaqet, cilat janë simptomat dhe si mund ta parandalojmë.
Të gjithë njerëzit, fëmijë apo të rritur qofshin, sapo ndjejnë shqetësimet e para, apo preken nga ndonjë sëmundje i drejtohen mjekut. Dhe ky është vërtet veprimi i duhur për të mos u rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme që i kanosen organizmit të njeriut.
Por, sa të sigurt jemi ne nëse janë pikërisht këto barnat e duhura për kurimin e sëmundjes? A ekzistojnë vaksinat e efektshme kundër pandemive të ndryshe dhe viruseve gripale? Pjesa më e madhe e gjendjeve virale transmetohen në shtëpi, ose nëpër shkolla dhe të rriturit që janë në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët janë më në rrezik. Por si mund t’i luftojmë këto viroza?

Kompresa të ftohta, supë të ngrohtë dhe lëng portokalli
Kompresat me ujë të ftohtë së bashku me alkoolin etilik, kur temperatura i kalon të 38 gradët, mund t’ju ndihmojnë të gjeni shumë shpejt lehtësimin që dëshironi. “Por edhe supa e pulës ka të mirat e saj, për shkak të përmbajtjes së aminoacideve dhe proteinave. Mjekët ndërkohë janë të një mendimi se gjumi është shumë i rëndësishëm në rastin e gripit. Ndërsa disa studime kanë treguar se të fjeturit, rrit përgjigjen imunitare, sepse nivelet e kortizolit reduktohen. Pra, këshillat popullore asnjëherë nuk duhen nënvlerësuar. Rasti i lëngut të portokallit të shtrydhur është një aleat për të parandaluar ftohjen dhe gripin. Vitamina C në doza të duhura kontribuon në forcimin e sistemit imunitar. Edhe vitamina B ndihmon për rino-vimin e qelizave të dëmtuara”, shton më tej virologu.

Në shtëpi ajri duhet ndryshuar shpeshherë
Për t’u çliruar nga armiku në shtëpi, ventilimi, pastrimi dhe dezinfektimi janë të rëndësishëm. Larja e shpeshtë e duarve do të mund të shmangte ngjitjen e gripit. “40 për qind e rasteve me grip përqendrohet te grupmosha e të rinjve nga 0 deri në 18 vjeç dhe personat më të rinj mund të preken për disa ditë. Gjyshërit duhet të bëjnë kujdes, sepse puthja e nipit/mbesës mund të mos jetë e ‘pafajshme'”, paralajmërojnë mjekët.

Sport, por kujdes ndaj luhatjes së temperaturës
Ka edhe nga ata të cilët i besojnë sportit për të forcuar sistemin imunitar. Në fakt, efekti pozitiv i një aktiviteti të rregullt fizik, sugjerohet nga studime të ndryshme. Por, eksperti vë në dukje të ashtuquajturin “efekti i zhveshjes”. Pas palestrës, ekziston një kohë pas dy ose tri orësh, gjatë të cilave sistemi imunitar dobësohet”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: