Këshillat Studentorë të pesë universiteteve shtetërorë në vend kanë dalë me deklaratë zyrtare publike, ku shprehen se Ministria e Arsimit nuk ka plotësuar disa kërkesa të tyre.

Letra është nënshkruar nga Këshillat Studentorë të Universitetit të Tiranës, Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, Universitetit të Korçës “Fan Noli”, Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani, Universitetit të Mjekësisë, Universitetit Politeknik të Tiranës dhe atij Bujqësor.

Në këtë letër nënvizohet se shumë kërkesa të studentëve nuk janë plotësuar, ashtu siç ishte premtuar. Këshillat Studentorë paralajmërojnë protesta, ndërsa kërkojnë të takojnë ministren e Arsimit Besa Shahini. Ata thonë se do të thërrasin një takim ndërkombëtar rreth situatës të Universiteteve Publike në vend.

Letra e plotë:

Ne përfaqësuesit e Këshillave Studentorë të Universiteteve: Universiteti i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universiteti i Korçës “Fan S. Noli”, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Universiteti i Mjekësisë, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Bujqësor, duke e parë situatën në të cilën ndodhet arsimi në vend dhe duke marrë në shqyrtim Paktin për Universitetin, të prezantuar nga Qeveria, vërejmë:

Pika 1. Përgjysmimi i tarifave të Studentëve duhej bërë në janar të 2019. Kjo pikë është plotësuar pjesërisht, për shkak se tarifat janë ulur vetëm për ciklin Bachelor, e jo për Master, siç kanë kërkuar edhe studentët.

Pika 2. Web faqet të cilat do të bënin transparencën e buxhetit të Universiteteve, nuk janë krijuar ende, edhe pse sipas Paktit, duheshin bërë në janar 2019.

Pika 3. Pesha e votës së studentëve duhej bërë në janar 2019, por deri tani, edhe pse jemi në mars, nuk është bërë asgjë në lidhje me këtë gjë.

Shkarkimi i Anëtarëve të Bordit të Administrimit është bërë në mënyrë të pjesshme, pasi ende në disa universitete, ata nuk janë shkarkuar. Gjithashtu, qeveria ka deformuar kërkesën e studentëve, pasi ne kemi kërkuar përfaqësues të studentëve në Bordin e Administrimit dhe jo persona të tretë.

Sa i përket Kartës së Studentit, ende nuk është bërë asnjë hap dhe pritshmëritë janë që ende të mos kemi përparim në këtë pikë.

Qeveria ka punuar me Paktin, por mbi 90 për qind e kërkesave ose nuk janë plotësuar, ose janë deformuar dhe plotësuar pak.

Ne rikonfirmojmë një ndër kërkesat kryesore:

  1. Rrëzimin e menjëhershëm të Ligjit të Arsimit të Lartë.
  2. Marrjen me seriozitet të të gjitha kërkesave tona.

Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund kauzës sonë, duke paralajmëruar protesta të tjera sa i përket këtyre pikave, por edhe pikave të tjera.

Ne do të kërkojmë takim urgjent me ministren e Arsimit zonjën Besa Shahini.

Shumë shpejt do të thërrasim edhe një takim mbarëkombëtar për të diskutuar për situatën në Universitetet Publike.

  • foto galeri

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb