Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Durrësit u zhvillua sot në prani të kryetarit Ani Dyrmishi dhe nënkryetarit Elio Jani. Të pesë pikat e rendit të ditës u miratuan me shumicë votash, përfshirë edhe projektin për rikonstruksionin e rrugës në njësinë administrative Ishëm.
Ky projekt shkaktoi diskutime, ku përfaqësues të opozitës ngritën shqetësime për vlerën e përcaktuar, duke e cilësuar atë të pamjaftueshme. Këshilltari Joni Myshketa votoi kundër, ndërsa Ardian Muka theksoi se nuk mund të mbyllej me vetëm 4 milionë lekë të vjetra.
Pika më e rëndësishme ishte alokimi i fondeve të Rindërtimit për vitin 2024, që kishin mbetur të papërdorura. Këshilltari Muka ngriti dyshime për përdorimin e fondeve nga vitet e kaluara, ndërsa këshilltarja Flutura Kasa theksoi se bëhej fjalë për vijimësinë e procesit të rindërtimit, duke u fokusuar kryesisht tek shtëpitë individuale. Ky projektvendim u miratua me 33 vota pro dhe 7 kundër.
(Balkanweb)