Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka zhvilluar mbledhjen e radhës me pjesëmarrjen e anëtarëve të rinj disa prej të cilëve edhe zëvendësues. Mbledhja e sotme u drejtua nga zëvendëskryetarja e KED Marsida Xhaferllari, pasi kryetari i Këshillit Sokol Binaj mungonte për arsye shëndetësore. 

Gjithashtu në mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Rendi i ditës i zhvilluar në mbledhjen e sotme:

  1. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së konstituimit të KED të datës 17.01.2022;
  2. Hedhja e shortit për relatorët dhe këshilltarët për kandidatët e vendeve vakante për anëtar të Gjykatës Kushtetuese;
  3. Caktimi i përfaqësuesit për dërgimin e kontributit për fillimin e procesit të monitorimit të Srategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë (Faza II) dhe plani i Veprimit 2021 – 2025;
  4. Kërkesa e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për takimin e 12 të Komitetit të Stabilizim – Asocimit BE-Shqipëri.
  5. Të tjera.

Në fillim të mbledhjes KED unanimisht vendosi të shtojë në rendin e ditës, si pikë e dytë, çështjen e kërkuar nga anëtari i Gjykatës së Lartë mbi “Shfuqizimin e Vendimit Nr.10 datë 30.09.2021 “Për pezullimin e procedurës së verifikimit dhe njoftimin e subjektit që ka vënë në lëvizje Gjykatën e Lartë, për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave, si edhe vijimin e procesit të vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve që konkurojnë për vendin vakant të ish gjyqtarit Gani Dizdari”.

KED vijoi me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së konstituimit të KED të datës 17.01.2022, sikurse ishte parashikuar në pikën e parë të rendit të ditës, i cili do të publikohet në faqen zyrtare të KED.

Lidhur me pikën e dytë (të shtuar) KED, pasi diskutoi gjerësisht, mori mendimin e anëtarëve zëvendësues të pranishëm, mendimin e Avokatit të Popullit, të përfaqësuesve të Kryetarit të Kuvendit dhe Komisionit të Ligjeve, vendosi me shumicë votash shfuqizimin e Vendimit Nr.10 datë 30.09.2021 si edhe vijimin e procesit të vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve që konkurrojnë për vendin vakant, (mandat i plotë) të ish gjyqtarit Gani Dizdari, duke i bashkuar listës prej 5 kandidatësh edhe dy kandidatët e procedurës së pezulluar.

Stafi administrativ në dispozicion të KED organizoi zhvillimin e shortit për caktimin e relatorëve që do të kryejnë procesin e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për vendin vakant të shpallur nga Gjykata e Lartë për ish gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Z. Gani Dizdari.

Ky short, u zhvillua në mënyrë manuale, sipas dispozitave në fuqi, për shkak të pamundësisë teknike të zhvillimit të tij në mënyrë elektronike.

Zëvendëskryetarja e KED pasi u këshillua me anëtarët e këshillit dhe duke mbajtur në konsideratë numrin 7 të kandidaturave vlerësoi që të caktoheshin me short dy këshilltarë ligjorë.

Pas organizimit të këtij shorti, rezultatet janë si më poshtë vijon:

  1. Mandat i Shpallur nga Gjykata e Lartë, për vendin vakant (mandat i plotë) të Z. Gani Dizdari:

Relator: Anila Leka

Këshilltar: Besmir Rrapaj dhe Edlira Llango

Krahas angazhimit maksimal të këtij këshilli, shpejtësia e procesit të verifikimit, besueshmëria dhe integriteti i tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike si: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve, etj., si dhe subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për pikat 3 dhe 4 të rëndit të ditës (së shpallur) caktoi si përfaqësues anëtarin Zëvendësues Z. Sandër Simoni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: